Rama, dhe i vetëm trim në luftë!

Nga Leonard Olli
Është e hidhur, por e vërtetë. Atë çka prej më shumë se 6 vitesh e ka shndërruar në filozofinë dhe strategjinë e tij të vetme si lider politik, z. Rama mundi ta rikonkretizonte sërish me bllokimin e marrjes së statusit kandidat nga Shqipëria. Shqipëria dhe shqiptarët, të majtë e djathtë, rozë e blu, madje edhe ata pa ngjyrim politik, por të gjithë pa përjashtim adhurues të simbolit të bashkimit, të flamurit kuq e zi, në përvjetorin e 100 të lindjes morën si dhuratë nga lidershipi socialist izolimin dhe përjashtimin. Është thuajse e pamundur ta besosh se sa shumë mund të urrejë dikush vetveten, bashkëkombësit dhe vendlindjen e vet. As në shkrimet më të hershme të njerëzimit e as në tragjeditë e antikitetit grek nuk mund të gjesh personazhe të ngjashme, me këtë dozë mizantropizimi apo thënë shqip urrejtje ndaj qenies që i përket. “Mizantropi zhvillohet kur pa një arsye reale, dikush beson se ka absolutisht të drejtë dhe se të tjerët e adhurojnë dhe, më pas, kur po sipas tij, zbulon se gjërat nuk janë aspak si ai ka dashur apo besuar, përfundon duke i urryer të gjithë”, e ka përkufizuar Platoni, ndërkohë që Aristoteli ndjek një rrugë më ontologjike dhe e përkufizon mizantropin, si një njeri krejtësisht të vetmuar në thelb. E pra, natyra njerëzore fsheh shumë komplekse apo mallkime brenda saj, të cilat përcaktojnë sjelljen sociale të individit dhe për më tepër, një individ në rolin e liderit.
“Çdo luftë bazohet në mashtrim”- shkruan Su Cu, në Artin e Luftës dhe shton se, nëse “jemi të aftë për sulm, duhet të dukemi si të paaftë për të; kur e përdorim forcën, duhet të dukemi si joaktivë”. Dhe, mesa duket, lideri socialist mizantropizmin dhe këto parime i ka shndërruar në motot kryesore të veprimit politik, edhe pse i vetëm trim në këtë luftë. Ai e ka përdorur ekstremisht forcën, e kryesisht atë bllokuese, duke u shfaqur si “joaktiv”. Së bashku me këtë “mosveprim”, ai është përpjekur të paraqitet si viktima, ndërkohë që me veprimet apo mosveprimet e tij ka viktimizuar dhe penalizuar Shqipërinë dhe shqiptarët, duke i kryqëzuar sërish në stacionin e fundit drejt Europës.
E shkuara e afërt, qartazi dëshmon se të gjitha betejat e tij politike janë bazuar në mashtrim, duke tentuar të bindë opinionin publik se e drejta është në anën e tij. Në vitin 2007, beteja e tij politike, u bazua në faktin se zgjedhjet nuk do të jenë të drejta dhe për këtë paranojë apo mashtrim ai refuzoi hyrjen në zgjedhje, duke bojkotuar të gjithë dhe gjithçka. Si rrallë herë në historinë politike të postkomunizmit deformimi apo manipulimi i rezultatit të zgjedhjeve u anatemua me ‘paradhënie’ muaj e muaj me rradhë dhe, si asnjëherë tjetër, nuk u kundërshtua kurrë pas zgjedhjeve.
Edhe pse në pamje të parë ky qëndrim duket paradoksal, shpjegimi është i thjeshtë: Rama fitoi bashkinë e Tiranës. Por, nuk ndodhi kështu në zgjedhjet parlamentare të 2009-ës apo ato vendore të vitit 2011. Pasi kishte besuar se kishte absolutisht të drejtë dhe se të tjerët e adhuronin dhe se do t’i jepnin fitoren, kur kjo nuk ndodhi, përfundoi duke i urryer të gjithë dhe gjithçka.

Aq e fortë ishte ndjesia e urrejtjes sa edhe publikisht nuk mundi ta fshinte në dy raste: pak muaj para liberalizimit të vizave, në kulmin e grevave dhe bojkoteve të pafund kur u shpreh se ishte aventurë heqja e regjimit të vizave për shqiptarët, po kështu, dy muaj para vendimit për marrjen e statusit kandidat, kur deklaroi se Shqipëria nuk e meriton të jetë në Europë…
Mjeshtërisht, duke zvarritur gjithçka, me ulje e ngritje, sipas parimit “përfito me shumë se sa të takon”, në lexim germë për germë, por jo në thelb të Su Cu-së, i cili thotë se “nëse fushata është e zgjatur, resurset e vendit nuk do ta përballojnë këtë ngarkesë”, ai shtyu në ekstrem votimin e tre rekomandimeve të fundit, duke penalizuar në mënyrën më të pamerituar shqiptarët dhe resurset e tyre ekonomike. Edhe pse zgjedhjet e ardhshme nuk përfshihen si kusht as nga Komisioni europian dhe as nga Parlamenti europian, të cilët thjesht dhe qartë thanë se Shqipëria është gati të marrë statusin e vendit kandidat, Rama dhe shpura e tij në Kuvend, të dehur me mizantropizëm, nihilizëm dhe cinizëm, i thanë, për herë të tretë, jo dëshirës së pamat të shqiptarëve për të vijuar rrugëtimin drejt Europës. Dëshpërimisht, me parandjenjën e humbësit duan të përfshijnë zgjedhjet si kusht e të ngrenë alibitë për protestat dhe bojkotet e radhës. Befasia të vjen prej faktit se nëse vetë europianët janë të bindur për atë çka meritojnë shqiptarët, një prej tyre dhe për me tepër lider dhe kandidat për kryeministër i shqiptarëve e injoron qetësisht këtë meritë.
“Dy mijë vjet më parë, krenaria ishte të deklaroje se je qytetar romak. Sot, në botën e lirë, krenari dhe kryelartësi është të thuash: Unë jam nga Berlini – Ich Bin Ein Berliner”, u shpreh në fjalën e tij monumentale në Berlinin perëndimor, në qershor të vitit 1963, presidenti i SHBA-ve, John F. Kennedy, ndërsa sovjetikët dhe gjermano-lindoret ngrinin murin e Berlinit, që dhunshëm ndau për më shumë se 30 vjet qytetarët jo vetëm të një shteti, por edhe të një qyteti. “Liria ka shumë vështirësi dhe demokracia nuk është një sistem i perfeksionuar. Por ne nuk jemi detyruar kurrë që të ndërtojmë mure për të mbajtur popullin tonë të rrethuar, për t’i penguar që të lëvizin lirisht”, u shpreh në atë ditë të qershorit 1963 Kennedy, kur perdja e hekurt dhe muri ndanë mizorisht, ndërsa zhytën në diktaturë Europën lindore.
Në këto periudha historike, kur Shqipëria është shumë pranë bashkimit me familjen e saj natyrale kulturoro-historike dhe gjeografike atë europiane, pas një udhëtimi të gjatë 100 vjeçar, plot trazira dhe ngjarje të dhimbshme, gjithë shqiptarët pa hezitim e dëshirojnë më shumë se kurrë këtë bashkim. Por, mesa duket, z. Rama & Co, nuk janë të gatshëm dhe rivazhdojnë ngritjen e mureve virtuale, duke risjellë, por vetëm në kujtimin tonë, izolimin dhe ndarjen e dhunshme.
E ndërsa sot të gjithë ne, me krenari të ligjshme themi se jemi shqiptarë dhe dëshirojmë pafundësisht bashkimin me Europën, pyetja, që thjeshtësisht shtron çdo qytetar, është:
A ndjehet, z. Rama, krenar që është shqiptar?

Ripublikim

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka forcë Berisha të rrëzojë kryeministrin Rama, edhe pas skandalëve të fundit?