Rama dhe ”kurthi” Kurti
As 25-vjetori i ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, një moment që solli një faqe të re në historinë e pakthyeshme të Kosovës, nuk solli paqe mes Ramës dhe Kurtit. Kryeministri Edi Rama u prit në Prishtinë nga presidentja Vjosa Osmani, e cila është më diplomate dhe më korrekte me postin që ka mbi supe. Rama vlerësoi se Ibrahim Rugova, ati themelues i Kosovës së lirë, të pavarur dhe demokratike, ishte një shqiptar si i dalë nga brinjët malore të historisë sonë.
Por në fjalën e gjatë, vend kishte mjaftueshëm edhe për Albin Kurtin. Këshilla e parë e Ramës për Kurtin është kurthi i lojës “macja me miun” me Serbinë. E duke folur për këtë çështje, Rama fillimisht u ndal tek koha kur Kosova ka qenë më e suksesshme në arenën ndërkombëtare sipas tij. Bëhet fjalë për periudhën e “Ekipit të Unitetit” që sipas Ramës i dha Kosovës suksese diplomatike dhe mundi Serbinë në tavolinë.
Kosova e sotme për Ramën ka hyrë në një proces ku politika e jashtme përdoret si politikë e brendshme. E kjo për të mund të japë sukses elektoral, por në sytë e miqve aleatë e lë Kosovën me pak besim.
“Pastaj se çfarë bën Serbia është punë e Serbisë. Shkoni merruni me Serbinë. Por ky konfrontimi macja me miun në tavolinë, këto mbledhjet për t’u mbyllur me orë për të dalë sa fort i qëndrova tjetrit nuk çojnë asgjëkundi dhe nuk kuptoj çfarë lidhje ka e ardhmja e Kosovës dhe çdo detyrim që ka Kosova në raport me vetveten”, tha ai.
Për kreun e qeverisë shqiptare fakti që Serbia nuk i qaset idesë për ta njohur Kosovën, nuk duhet ta pengojë Prishtinën zyrtare që të gjitha shtetet e tjera ta shohin si shtet model që përmbush standardet. Prandaj theksoi se Kosova duhet që “t’i lerë targën Serbisë” dhe se fati i saj nuk duhet të lidhet me interesat e Beogradit.
Nuk vonoi shumë dhe zyra e kryeministrit Albin Kurti reagoi. Përparim Kryeziu, zëdhënësi i qeverisë së Kosovës ka sqaruar arsyjen pse nuk pati një takim mes dy kryeministrave. Sipas tij, Rama erdhi në Prishtinë dhe u takua me ato që do të rregullojë raportet.
“Në bazë agjendës së deritanishme, duket që në Prishtinë, Kryeministri i Shqipërisë, Rama, po i takon ata me të cilët konsideron që ka nevojë t’i rregullojë raportet. Në anën tjetër, Kryeministri Kurti, Zyra e tij, e ka ftuar Kryeministrin Rama në aktivitetet që shënojnë 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës më 12 qershor. Kryeministri Rama, përkatësisht Zyra e tij, na ka njoftuar që nuk do të mund të jetë i pranishëm me 12 qershor. Ai është i mirëseardhur që t’i bashkëngjitet aktiviteteve të agjendës shtetërore. Urojmë që vjen në Manifestimin e 146-të vjetorit të Lidhjes së Prizren, sepse Lidhja e Prizrenit nuk është vetëm e Kosovës”, thuhet në reagimin e zëdhënësit të qeverisë së Kurtit.
Por siç nënvizoi edhe kryeministri Edi Rama, si një këshillë për Kurtin, ”ëndrra për fitore absolute, jo rrallë kthehet në makthin e humbjes së shumëçkaje për breza të tërë”, duket se shkon për të dy kryeministrat, që sot më shumë se kurrë nuk duhet të bëjnë macen dhe miun, apo të futen në ”kurthin” e Serbisë që kërkon përçaje, pasi të tjerë përfitojnë dhe Kosova merr grushte ndërkombëtare.