Rama dhe Veliaj i dorëzojnë çelësat e dy banesave të reja 9 pjesëtarëve të familjes Zela

Kudo në botë Krishtlindjet simbolizojnë rilindjen e shpresës dhe të mirës. E tillë ishte edhe ky 25 dhjetor për pjesëtarët e familjes Zela të cilët do të gjendeshin të pastrehë më 21 shtator si pasojë e lëkundjeve të forta sizmike që do të shkatërronin pothuajse tërësisht banesën e tyre të vjetër në Vaqarr ku jetonin nën një çati 9 persona. Por sot ata kanë marrë prej kryeministrit Edi Rama dhe Kryebashkiakut Erion Veliaj çelësat e banesave të reja, që ofrojnë edhe më shumë hapësirë dhe kushte optimale.
Në njërën hyrje 2+1 do të jetojnë pesë pjesëtarët e familjes së Edmond Zelës, ndërsa në tjetrën po 2+1 do të jetojnë mamaja e tij e moshuar dhe tre vëllezërit e tjerë.
“Shtëpia e re e familjes Zela, që u godit keqaz nga tërmeti i shtatorit, çel dyert në ditën e bekuar të Krishtlindjeve bashkë me urimin për shëndet, mbarësi e jetë të lumtur familjare”, u shpreh Rama.
E ndërsa u dha dhuratat fëmijëve të familjes bashkë me Veliajn, kryeministri kishte vetëm një kërkesë. “Si e kishe atë shtëpinë tjetër copë copë, shiko këtë tani, nuk ke justifikim, dhe nuk po të kërkojmë të bësh ndonjë punë, por të na sjellësh ca 10-ta në shtëpi. Kur i sjell ti 10-tat, a di si janë për mamin? Si ato çokollatat atje, kur i sjell 8-ta janë si qepë”, tha kryeministri. Kryebashkiaku Erion Veliaj deklaroi se në kryeqytet do të ketë edhe shumë shkolla të reja të cilat do të ndërtohen për fëmijët. “Me projektin e rindërtimit do të kemi riparime në shumë shkolla, por mbi të gjitha do të bëjmë dhe shumë shkolla të reja”, tha Veliaj.
Sikurse premtoi kryebashkiaku Veliaj, banesat e dëmtuara nga tërmeti i 21 shtatorit dhe që u shpallën të pabanueshme janë rindërtuar nga e para, por tashmë shumë herë më të forta dhe të mobiluara duke ofruar të gjitha kushtet.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A të drejtë Trumpi për Groenlandën?