Rama dhuratë për Krishtlindje dhe Vitin e Ri: Nga ora 20:30 deri në 06:00 mbylluni në shtëpi!

Kryeministri Edi Rama, dhuratë shqiptarëve për Krishtlindje dhe Vitin e Ri, ka mbylljen brenda në shtëpi. Në fjalën e saj gjatë mbledhjes së Komitetit të Ekspertëve për Covid-19 në vend, ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, tha se për shkak të festave të fundvitit, do të ndryshojë ora policore, që deri më tani është në 22:00 deri në 06:00 ndaj ora e re policore do të jetë nga ora 20:30 deri në 06:00. Ky kufizim nis nga 24 dhjetori deri më 4 janar. Kurse ora policore 22:00 deri në orën 06:00, do të rikthehet me datën 5 janar.

Kemi vendosur kufizimin e lëvizjes nga ora 20:30 deri në 06:00, nga 24 dhjetori deri në 4 janar. Përjashtim bëjnë ata që duhet të lëvizin për arsye shëndetësore apo pune. Edhe aktiviteti i bareve dhe restoranteve do të kufizohet në këtë fashë orare”, shtoi Manastirliu.

Ministrja gjithashtu bëri me dije vendimin për mbylljen e fluturimeve me Britaninë për shkak të qarkullimit të mutacionit të Covid-19 në këtë shtet. ”Për të kufizuar rritjen e përhapjes së infeksionit, kemi vendosur pezullimin e fluturimeve me Britaninë e Madhe duke filluar nga e marta deri në datë 6 janar. Vendoset masa e karantinës së detyrueshme 14 ditore për qytetarët që vijnë nga Britania e Madhe me fluturim apo në rrugë tokësore”,-tha ministrja.

Për më tepër, Manastirliu pohoi se qeveria shqiptare po punon që procesi i vaksinimit në vendin tonë të nisë në muajt e parë të vitit 2021. ”Qeveria është e angazhuar, po bëhen të gjitha përpjekjet. Për këtë jo vetëm që kemi parapaguar përmes instrumentit të Covax, po bashkëpunojmë me vendet e BE-së për marrëveshje direkte, dhe me prodhuesit. Kemi kontaktuar kompaninë Pfizer dhe po punojmë me të. Kemi gati planin dhe skenarët bazuar në llojin e vaksinës. Nëse vjen vaksina e Pfizer ka specifika të përcaktuara dhe jemi duke punuar për të siguruar infrastrukturën që duhet e dedikuar për të. Në këtë plan vaksinimi të përgatitur janë përcaktuar edhe grupet prioritare; do të fillohet me punonjësit të shëndetësisë, më pas punonjësit e qendrave të kujdesit afatgjatë, më pas me personat mbi 75 vjeç”,-tha Manastirliu. Edhe aktiviteti i bareve dhe restoranteve do të kufizohet në këtë fashë orare.

Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu apeloi qytetarët që të shmangin udhëtimet jo thelbësore dhe aktivitete jo thelbësore, pasi sipas saj, pandemia nuk parandalohet në spitale. ”Të gjitha masat e marra do të rivlerësohen mënënyrë dinamike. Nëse do të jetë e nevojshme do të merren masa të reja apo do rivlerësohen ato ekzistuese. E kuptojmë dëshirën e secilit për të qenë me njerëzit e dashur në këto festa. E kuptojmë fare mirë që në Krishtlindje dhe natën e Vitit të Ri duam të jemi të gjithë së bashku në një atmosferë normaliteti festive. Por ky është një vit i pazakontë dhe po mbyllet si i tillë. Një vit që ka kërkuar sakrifica në emër të shëndetit. Në listën e dëshirave shëndeti qëndron në kye. Pandemia nuk parandalohet në spitale”.

SHKARKO APP