Rama: Do ta çlirojmë popullin nga ankthi i kësaj lufte!
Pas përfundimit të vaksinimit të mjekëve, të moshuarve në Shtëpitë e të Moshuarve dhe të atyre plus 80 vjeç, 38.400 dozat e mbërritura dje nga kompania AstraZeneca do të injektohen tek mësuesit dhe pedagogët.
Përmes një postimi në rrjete sociale, kryeministri Edi Rama, ka publikuar disa foto gjatë vaksinimit të mësuesve dhe ka shkruar:
“Ashtu siç askush nuk e besonte se ne do t’i shëronim plagët e tmerrshme të tërmetit pa humbur kohë dhe sot shërimi i tyre vazhdon pa u ndalur, ashtu edhe vaksinat që pakkush besonte se do t’i gjenim para shumë të tjerëve, ne do të vazhdojmë t’i rrisim në sasi pa u ndalur dhe do ta çlirojmë popullin tonë nga ankthi e shtrëngesat e kësaj lufte, pa mbetur mbrapa të tjerëve”.
Kujtojmë se kryeministri Rama tha se gjatë ditëve në vijim do të mbërrijnë të tjera doza të konsiderueshme vaksinash anti-COVID, të cilat do të përdoren për punonjësit e policisë dhe forcat ushtarake.