Rama e Balluku në Llogara: Përfundojnë gërmimet e tunelit, hapet në qershor të vitit të ardhshëm
Kanë përfunduar gërmimet për tunelin e Llogarasë. Kryeministri Edi Rama dhe ministrja e Infrastrukturës Belinda Balluku kanë qenë të pranishëm ditën e sotme në momentin kur është hapur i gjithë tuneli.
“Përfundojnë me një moment emocionues për të gjithë skuadrat e angazhuara, gërmimet e tunelit të Llogarasë, i cili tanimë është i hapur në krejt gjatësinë e vet, falë përmbylljes së procesit më të vështirë për ndërtimin e kësaj vepre infrastrukturore, që do të shkurtojë konsiderueshëm kohën e udhëtimit drejt Jonit, duke rritur njëkohësisht standardet e sigurisë rrugore. Një punë e bërë në kohë rekord që do të pasohet tani me proceset e tjera, deri në përfundimin e plotë të të gjithë veprës, shpresojmë në 1 qershor të vitit të ardhshëm”,- shprehet Rama.
Hapja e tunelit të Llogarasë do të shkurtojë ndjeshëm kohën e udhëtimit drejt plazheve të jugut.