Rama e Beqaj në Berat, 5.9 milionë lekë investime për kardiologjinë

Vetëm në dy vjet, 11 spitale rajonale në vend dhe tre poliklinika në Tiranë janë pajisur me kabinetet e kardiologjisë, një shërbim i munguar prej shumë kohësh për një nga sëmundjet me nivelin më të lartë të sëmundshmërisë. Më i fundit është kabineti në repartin e kardiologjisë në spitalin e Beratit, ku 500 pacientë nuk do t’i drejtohen më Qendrës Spitalore në Tiranë, por do ta marrin shërbimin në këtë spital. Kjo, për dhjetëra të sëmurëve kardiakë në javë, që ishin të detyruar ta kryenin diagnostikimin në Tiranë apo në shërbimin jopublik me pagesë, i jep fund vajte-ardhjeve, mundimit dhe rritjes së kostos së shërbimit për ta dhe familjes së tyre.

Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj ishin në spitalin rajonal të Beratit. Me një investim prej 5,9 milionë lekë, në kabinetin e kardiologjisë janë instaluar aparaturat më të reja si ECHO 3D, ato për matjen e ngarkesës së zemrës, holter tensioni arterial dhe holter zemre.

Mjeku kardiolog Julian Ranxha e cilësoi një shërbim të domosdoshëm, por deri dje të munguar. “Është një risi për Beratin, sepse plotëson diagnozën e të sëmurëve kardiakë dhe ata nisen për në Tiranë, thjesht për ndërhyrje,” – tha Ranxha.

Mjeku i vjetër, kardiologu Pavllo Bojaxhi shprehet entuziast që ia arriti të punojë me aparatura të kohës. “Pajisje e kohës që i realizon të gjitha në kohë reale. Janë aparatet më të reja, që zgjidhin problemin e kinetikës dhe informacioneve anatomike të zemrës. Tani, ata që e meritojnë të lëvizin drejt Tiranës, sepse jo të gjithë anë nevojë për të shkuar atje. Kjo minimizon mbingarkesat që krijohen në qendër,” – u shpreh Bojaxhi.

Këto investime fuqizojnë rolin e spitaleve rajonale. Qëllimi ynë, theksoi ministri Beqaj, është që diagnostifikimi i sëmundjeve të bëhet sa më pranë qytetarëve.

“Çdo javë, rreth 10 sëmurë [nga Berati] detyrohen të shkojnë në Tiranë, ose ta bëjnë privatisht, duke paguar lekë në dorë, vetëm për provën ushtrimore. Këtë vit, 500 vetë do ta marrin shërbimin në spitalin e Beratit, duke shmangur kohën që harxhojnë dhe shpenzimet, por do të na lehtësojnë edhe ë Tiranë, sepse do të ketë shumë më pak ngarkesë. Si ky kabinet ka sot në të 11 spitale rajonale të Shqipërisë dhe në tre poliklinika të Tiranës. Praktikisht, kur filluam para 2 vjet e gjysmë nuk kishte fare, sot sëmundjet kardiake që kanë barrën më të madhe të sëmundshmërisë dhe që janë në fokusin e angazhimeve tona janë në vëmendje edhe me diagnostikë sa më pranë qytetarëve,” – theksoi ministri Beqaj.

Objektivi i Ministrisë së Shëndetësisë është mbulimi me shërbim kardiovaskular në të gjithë vendit.

SHKARKO APP