Rama e Meta në Himarë e Sarandë: Të kthejmë investimet e munguara

Kryeministri Edi Rama dhe Kreu i Kuvendit Ilir Meta janë ndalur pasditen e sotme në Himarë e më pas në Sarandë, për të prezantuar kandidatët e Aleancës për Shqipërinë Europiane për bashkitë e këtyre qyteteve.

Për bashkinë Himarë, mazhoranca ka kandiduar Gjergji Goro, ndërsa pë bashkinë Sarandë kandidon Florjana Koka. Duke u kërkuar qytetarëve të mbështesin kandidaturën e mazhorancës në Himarë, Rama tha se ata duhet të votojnë personin që iu bën më shumë punë. Duke u ndalur tek projektet konkrete për Himarën, Rama tha se kjo zonë do të kthehet në motor të zhvillimit. “Himariotët duhet të votojnë për rilindjen e bregdetit. Ne duam të kthejmë Himarën në një motor të zhvillimit. Jepini mbështetje partnerit të qeverisë këtu në Himarë. Për herë të parë në Dhërmi do ketë ujë të pijshëm 24 orë, jemi në fazën kur po mbaron investimi për ujësjellësin e Dhërmiut. Po kështu kemi përfunduar projektin e bregut të Himarës”, u shpreh kryeministri Rama. Gjatë prezantimit të kandidates së majtë për Sarandën, Rama është shprehur se në këtë qytet do të investohet për t’i dhënë zhvillimin e munguar.

“Saranda është reklamuar si perla e jugut të Shqipërisë por është e katandisur copë­copë, pa investime, pa rrugë, pa shërbime. në këta 18 muaj u pa qartë se çfarë mund të bëhet nëse qeveria në Tiranë e vlerëson zhvillimin urban të qendrave tona urbane si pikënisjen e zhvillimit ekonomik dhe atij social. kjo bëhet nëse kthehet vëmendja tek qendrat urbane dhe potencialet që shumica e qyteteve të Shqipërisë kanë, dhe që kanë mbetur për vite e dekada të tëra të pashfrytëzuara. Në Sarandë ne kemi filluar një rrugë në drejtimin e duhur, duke i trajtuar me seriozitet plagët e hapura na kaq vite rrënim për Sarandë. Në gjithë vijën e bregdetit Jon ne jemi investuar fuqishëm me projekte dhe investime, të cilat do të shkojnë duke u rritur në vitet në vijim. për herë të parë Dhërmiu do të ketë ujë 24 orë, dhe do t’i jepet fund barbarisë së turpshme të shkarkimit të ujërave të zeza në det. Ndërkaq, kreu i LSI Ilir Meta duke shprehur mbështetjen për kandidaturën e Florjana Kokës tha se në këtë zonë do të zbatohen politika në shërbim të zhvillimit. “Do të krijojmë një model turistik që do të tregojë lidership për Shqipërinë dhe rajonin. Do të zbatohen politika në shërbim të zhvillimit të zonës. Aleanca për Shqipërinë Europiane i beson kandidateve femra, dhe ne përkrahim fuqimisht kandidaturën e Kokës”, u shpreh Meta. 

SHKARKO APP