Rama në Berlin: “Jam i sigurtë që do martohemi një ditë me BE, por se kur nuk e di”
Kryeministri Edi Rama, ndodhet në Berlin, i ftuar për njërin prej bashkëbisedimeve në forumin e ri ndërkombëtar “Berlin Global Dialogue”, ku ndër të tjera foli edhe për një datë se kur Shqipëria mund të anëtarësohet në BE.
Rama tha se është i sigurtë që kjo një ditë do të vijë, por nuk foli me siguri për datën fikse, ndërsa theksoi se e rëndësishmja është që Shqipëria të bëjë si duhe detyrat e shtëpisë.
“Siç e thash agresioni rus i ka hapur sytë gjithëkujt, i ka bërë të gjithë të vetëdijshëm për rëndësinë e këtij procesi dhe rëndësinë e Ballkanit Perëndimor në BE. Por gjithashtu ne e dimë që BE ka problemet e veta që ne i njohim shumë mirë.
Është një proces i vështirë vendimmarrjeje, një ndikim shumë i madh i politikave vendaseve të shteteve anëtare, që herë-herë përcaktojnë vendimet e unionit.
Herë-herë, na duket sikur duke qenë të duruar për hir të historisë sonë dramatike, dhe duke e parë BE-në si psikolog, shohim që psikologu është i traumatizuar. Kjo është e vështirë pasi e gjejmë ndonjëherë veten duke ndihmuar atë.
Nuk jam i sigurt që BE ka kapacitetin për të vendosur një afat dhe ta respektojnë atë më pas.
Ne jemi tërësisht në paqe me veten që duhet të bëjmë detyrat e shtëpisë, sepse unë besoj se BE është burimi më i jashtëzakonshëm i njohurive në ndërtimin e shtetit.
Nëse ka një dallim mes vendeve të BP që kanë nuk kanë një traditë të shtetit dhe vendeve të tjera në kontinente të tjera është se në kemi bekimin që kemi BE, që është një burim mahnitës informacioni për këtë.
Të kesh mundësi ta përdorësh këtë dije, për të ndërtuar një shtet një demokraci funksionale, ky është objektivi.
Më pas se a jemi sot zyrtarisht anëtar, ose nesër, kjo nuk varet nga ne.
Më duhet rrëfej po ashtu se jam ndjerë herë herë i traumatizuar nga procesi i pafundëm i çeljes së negociatave.
Jam i sigurtë që po martohemi një ditë me BE, por se kur, këtë nuk e di,” tha ndër të tjera Rama.