Rama hap thesin e fushatës: Rrisim pagat për mjekët 40 % dhe për arsimtarët 15 %. Paga e re minimale hyn në fuqi më 1 janar!
Një ditë pasi grisi çdo marrëveshje politike dhe çdo premtim të dhënë ndaj ndërkombëtarëve me votimin e njëanshëm të Kodit Zgjedhor, duke ndryshuar dhe rregullat e lojës kur tashmë loja ka nisur, kryeministri Edi Rama hap thesin e parave të fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit të vitit të ardhshëm.
Kryeministri Rama në një konferencë për shtyp gjatë ditës së sotme njoftoi rritjen e pagave për mjekët dhe arsimtarët.
Në fjalën e tij Rama tha se rritja e pagave për bluzat e bardha, do të jetë në masën 40 %, ndërsa për arsimtarët do të ketë një rritje page prej 15 %.
Kryeministri deklaroi se këto ndryshime do të hyjnë në fuqi në datën 1 janar të vitit 2021.
“Rritja e Pagave për bluzat e bardha dhe arsimtarët në 1 janar 2021 është rezultat konkret i përpjekjeve të mëdha për të rritur mundësitë e Shqipërisë në shpërblimin e punës. Më e mira është ende përpara nesh dhe më e keqja ka kaluar.
Sot është zyrtare, rrisim rrogat për bluzat e bardha e arsimtarët. Nuk do të zgjatem shumë në shifra të detajuara por do të them që paga për bluzat e bardha do të rritet 40 % ndërkohë që për arsimtarët 15 %.
Një numër punonjësish në sektorin publik që është më i vogël se sa numri i vogël në vitin 2013, fundi i pagave është rritur nga 450 milion dollarë në 2013, në 710 milion dollarë sot duke përfshirë edhe rritjen e sotme.
E fundit nga ana ime në javën e ardhshme do komunikojmë edhe zgjidhje të tjera lehtësimi të shtresës së mesme që është në piramidën e taksimit për të ardhurat personale dhe për pagën minimale që do të hyjë në fuqi në 1 janar.
Ne e kemi përfunduar planin tonë për buxhetin. Më vjen mirë që pavarësisht nevojave për përballimin e dy goditjeve kemi një seri investimesh jo vetëm sepse rindërtimin e kemi kthyer në një motor të shtuar të ndihmës ekonomike por edhe pse po finalizojnë disa procese të rëndësishme që në 3 apo 4 viteve të fundit do të sjellin hyrjen e parasë më të madhe që është bërë ndonjëherë”, theksoi Kryeministri.
Paga e re minimale
Kryeministri Edi Rama njoftoi sot në bashkëbisedimin me gazetarët se paga e re minimale prej 30 mijë lekësh do të hyjë në fuqi më 1 janar 2021.
“Javën e ardhshme do të prezantojmë ndryshime të tjera për taksimin e ndershëm, në funksion të shtresës së mesme që është në piramidën e taksimit për të ardhurat personale dhe për pagën minimale që do të hyjë në fuqi më 1 janar. Ne e kemi përfunduar planin për buxhetin dhe më vjen mirë që pavarësisht nevojave për përballimin dhe goditjeve, kemi një seri prezantimesh të tjera”, tha Rama.
Më tej gjatë pyetjes së gazetarëve kryeministri u shpreh se ka informacion që subjektet private i paguajnë punonjësit në të zezë, prandaj duhet ta bënin vetë rritjen e pagës minimale.
“Po bëjmë me ligj, atë që duhet të bënin vetë pronarët. Punonjësit janë themeli i fitimit të çdo kompanie. Pronarët këtë duhet ta bënin vetë. A ka kjo një kosto financiare. Sigurisht që e ka, por jo tek xhepat e pronarëve. Ne kemi informacione dhe prova, që këto para jepen nën dorë. Pra kjo është e tepër. Nuk mundet kompanitë që me lëkurën e punonjësve të qepin pardesy”, theksoi Kryeministri.
Investimet e BE
Kryeministri Edi Rama ka komentuar lajmin se Komisioni Evropian synon që, gjatë dekadës së ardhshme, të investojë deri në 20 miliardë euro në Ballkanin Perëndimor.
Rama gjatë fjalës së tij, njoftoi se nesër pritet të zhvillojë një takim për Komisionerin Evropian, ndërsa theksoi se ka shumë procese të cilat duhet të realizohen për të arritur tek miliardat.
Gjithashtu kryeministri tha se Shengeni rajonal ka ndihmuar në krijimin e një vizoni të ri për ekonominë.
“Miliardat e BE dhe ,miliardat e botës nga e thëna në të bërë ka në mes një det të tërë. Unë nesër do të pres Komisionerin për Zgjerimin. Dua të them se kur dëgjoni këto miliarda kijeni parasysh se në mes ka 7 dete. Janë, por ka procese nga më të ndryshmet. Ne mbarojmë shkollat me kursimet tona, po të mos kishim rindërtimin do të kishim pasur më shumë edhe për anti-COVID.
Por jemi në një situatë ku kemi 15 mijë familje për të futu në shtëpi. BE po fillon procedura të tjera. Këto miliarda lidhen me gojën që më ra mua gjithë këto vite për Shengenin rajonal, pra janë miliarda sepse është hapur një vizion i ri. Kështu mos i dëgjoni të gjitha.
Është Shengeni rajonal, ai që hapi sot këtë perspektivë. Po të futem në komentet në “Facbook” do të më thonë ku i çove 20 miliard. Paratë që jep bota nuk vijnë këtu me thes, vijnë me një proces që ata e realizojnë vetë. Kohën për këtë nuk e kemi ne në dorë, e kanë ata”, tha më tej kryeministri Rama.