Rama i ashpër me drejtuesit vendorë të policisë: Po bashkëpunoni në krim!
Kryeministri Edi Rama është treguar i ashpër me drejtuesit e policisë vendore, teksa ka thënë se krimi i ndërtimeve pa leje bëhet në sy të tyre.
Në një takim me drejtuesit e rinj të Policisë së Shtetit, Rama deklaroi se disa nga drejtuesit kryesorë të Policisë së Shtetit në nivel vendor nuk e kanë përvetësuar akoma plotësisht misionin e mbrojtjes së territorit në çdo aspekt.
“Një sfidë ndaj ligjit dhe ndaj qytetarit të mirë, ndaj popullit komplet, që respekton ligjin. Në mes të qytetit. Unë nuk mund të hyj tek ata që fajësojnë Policinë e Shtetit se një i çmendur shkel gazin edhe sakaton njerëz të pafajshëm në rrugë, apo se dy palë futen në një konflikt që degjeneron në shkrehje karikatorësh në trupin e njëri-tjetrit në mes të natës, por ama nga ana tjetër nuk mundem dot të ndahem nga opinioni publik, kur Policia e Sarandës lejon një arenë zhurme, ahengu, shëmtie, pas mesnatës, që mbaron me plumba.
Sot ne jemi përballë edhe ca faktesh të ekspozuara nga veprimtari e disa eksponentëve të Policisë së Shtetit të së shkuarës jo të largët, të implikuar në veprimtari kriminale. Është shumë pozitive që këta individë ekspozohen dhe marrin atë që meritojnë, por është shumë domethënëse për të kuptuar se çfarë duhet të mbrojmë, ruajmë dhe parandalojmë në trupin e Policisë së Shtetit.
Nga ana tjetër, nuk e di në cilin vit kemi hyrë tani, por me një llogari të thjeshtë është viti i disatë, kur ne shikojmë me keqardhje që Policia e Shtetit dhe drejtuesit kryesorë të saj në nivel vendor akoma nuk e kanë përvetësuar plotësisht dhe nuk e kanë bërë pjesë organike të punës së tyre misionin e mbrojtjes së territorit në çdo aspekt. Ka qenë një problem i madh i gjithë administrimit dhe menaxhimit tonë të shtetit për dekada ndarja e Policisë së Shtetit nga ky mision. Ne e kemi njësuar këtë mision me Policinë e Shtetit në të gjithë aspektet e cënimit të pronës publike dhe të mjedisit. Për cilën arsye në botë ne duhet të kemi akoma shfaqje të ndërtimeve pa leje? Vetëm për një arsye, korruptimi i punonjësve të Policisë së Shtetit, bashkëpunimi në krim“, tha Rama.
KOHA JONË SONDAZH

