Rama i kthehet ministrit gjerman: Pamundësia për të udhëtuar në Europë më e rëndë se mos hapja e negociatave
Pas përplasjes në distancë me ministrin gjerman të Shëndetësisë, kryeministri Edi Rama shfrytëzoi praninë në Tiranë të kryediplomatit gjerman Michael Roth për të adresuar shqetësimin mbi lëvizjen e qytetarëve të Ballkanit drejt vendeve të BE.
Sipas tij, mbyllja e kufirit të BE për rajonin do të ishte dhe më e rëndë sesa mos hapja e negociatave.
Për Ramën, është e pajustifikueshme ndarja e qytetarëve në dy kategori, ata që kanë marrë vaksinë perëndimore dhe ata që kanë marrë vaksinë lindore.
Rama: Do të ishte shumë më e rëndë sesa shtyrja e radhës të vendimit për miratimin e kornizës negociuese dhe konferencës së parë ndërqeveritare, pamundësimi i qytetarëve të Ballkanit për të udhëtuar normalisht në Europë për shkak të ndarjes së tyre në dy kategori: Kategoria e atyre që kanë bërë vaksinë perëndimore dhe kategoria e atyre që kanë bërë vaksinë lindore. Unë shpresoj që të mos ndodhë kështu dhe uroj që edhe ju, edhe miqtë e tjerë të na ndihmoni që të përçojmë këtë mesazh. Nuk ka arsye pse të ndahen njerëzit në kategori kur bëhet fjalë për të drejtën e tyre elementare të lëvizjes së lirë, kuptohet në bazë të gjitha rregullave por njësoj për të gjithë.
Shefi i qeverisë shqiptare nga ana tjetër i bëri me dije Ministrit gjerman vendimin për heqjen e maskave.
Ai tha se shpreson shumë që gjermanët të zgjedhin vendin tonë për të pushuar këtë verë.