Rama kalon çdo kufi, 8 mësues të vdekur nga koronavirusi, PD nxjerr mesazhin e Kushit për mësuesit: Asnjë nga ju të mos flasë!
Eksperti i Partisë Demokratike për politikat e arsimit, Ndriçim Mehmeti publikon mesazhin e ministres së Arsimit Evis Kushi drejtuar shkollave në vend, ku i kërkohet që të mbyllin gojën për çdo kërkesë për informacion nga ana e gazetarëve.
Shkak për këtë mesazh duket se është bërë situata tejet shqetësuese e përhapjes së koronavirusit në shkolla, i cili deri tani ka marrë jetën e paktën 8 mësuesve, nga të cilët 3 vetëm dy ditët e fundit., si dhe ku raportohen me qindra raste të infektuarish, duke vene ne rrezik jo vetem shendetin e mesuesve, por edhe te nxenesve dhe familjareve te tyre.
Nisur nga kjo situatë, Ndriçim Mehmeti publikon mesazhin e Ministrisë së Arsimit drejtuar institucioneve arsimore, duke theksuar se Edi Rama censuron median, pasi siç thotë ai, nuk lejohen të flasin “as për gazetën e lagjes”, pa marre leje.
Reagimi i Ndriçim Mehmetit
Rama bunkerizon shkollat nga frika e realitetit te zymte te infektimit te mesuesve dhe nxenesve.
Në panik prej situatës së pandemisë që ka dalë jashtë kontrollit në kopshte e shkolla, Rama përmes MASR, urdhëron që të gjitha institucionet arsimore, të mos japin asnjë informacion medieve, ose siç i quan ne mesazhin e nisur nga MASR, drejt Zyrave Vendore Arsimore, gazetave të lagjes. Cilido që kërkon informacion, duhet t’i drejtohet Media MASR dhe Rama, do të përgatisë, regjinë, skenarin dhe aktorët për maskaradën e radhës, si në rastin e spitaleve, ku njerëzit janë të lumtur që janë të sëmurë e po kujdeset qeveria për ta.
Mësuesit, prindërit, nxënësit, të përbuzin këtë urdhër e të denoncojnë çdo shkelje të protokollit të sigurisë, masat gjysmake për mbrojtjen e shëndetit të tyre dhe shantazhin që u bëhet për të fshehur të vërtetën.
Ja mesazhi derguar ZVA dhe shkollave
Çdo kërkesë të gazetarëve duhet t’u jepni përgjigje të drejtohen pranë Media MASR për informacion.
Asnjë nga Ju nuk do të prononcohet as për “gazetën e lagjes” pa marrë më parë konfirmim nga Media MASR.
COVID-19 i merr jetën 8 mësuesve, PD: Qeveria asnjë masë për mbrojtjen e tyre
Edhe ish-deputetja e Partisë Demokratike, Albana Vokshi ka reaguar në lidhje me humbjen e jetëve të 8 mësuesve nga koronavirusi në vend. Përmes një reagimi në faqen e saj zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Vokshi theksoi se fondi prej 36 milionë eurosh për Teatrin, mund të jepej për të mbrojtur jetët e mësuesve nga pandemia e COVID-19. Sipas saj, këto ditë tre mësues të tjerë humbën jetën nga virusi vdekjeprurës, ndërsa shtoi se qeveria nuk po merr asnjë masë për mbrojtjen minimale të mësuesve dhe nxënësve në shkolla. “Këto ditë tre mësues të tjerë humbën jetën nga COVID 19, por qeveria nuk po merr asnjë masë për mbrojtjen minimale të mësuesve dhe nxënësve në shkolla. Deri tani, 8 mësues janë ndarë nga jeta për shkak të COVID, por ata janë trajtuar vetëm si statistika nga qeveria. Kryeministri në ikje që jep dhjetëra miliona euro për një projekt korrupsioni, si Teatri me kulla, nuk jep asnjë qindarkë për të rritur sigurinë në shkolla apo për të ndihmuar mësuesit e prekur nga virusi i rrezikshëm. 36 milionë euro që kanë ndërmend të zhvasin për projektin e ri të Teatrit me kulla, do të stër-mjaftonin: për testime masive periodike për mësuesit; për maska e dezinfektantë për mësues e nxënës; për infrastrukturë shkollore me standarde me kushte të përshtatshme higjieno-sanitare, me ujë të rrjedhshëm; për platforma për mësimin në distancë; për tableta e internet falas për çdo mësues e nxënës; për mbulimin e shpenzimeve për kurim për mësuesit; shpërblim dinjitoz për punën e tyre me aq përkushtim edhe në kushtet aq të vështira të pandemisë së COVID19. Lutjet e përditshme të mësuesve të braktisur, të keqtrajtuar e të shfrytëzuar kanë rënë në vesh të shurdhër. Çdo orë, ata janë në rrezik për shëndetin e jetën e tyre. Ka një përgjegjës që shkollat janë kthyer një ndër vatrat më të rrezikshme për përhapjen e infeksionit. Ai e ka emrin Edi Rama”, theksoi Vokshi.