Rama kërkon paqe me Albin Kurtin: Duhet të jemi më të pranishëm në Prishtinë
Gjatë mbledhjes me deputetët e vjetër dhe të rinj, kryeministri Edi Rama foli edhe për marrëdhënien që ka me homologun nga Kosova, Albin Kurtin. Teksa pranoi se ka mosdakordësi mes tyre për ”Open Balkan”, Rama kërkoi të bëjë paqe me të, dhe këtë arrin që ta bëjë përmes Kuvendit. ”Nuk është sekret që marrëdhënia me qeverinë e Kosovës nuk shkon vaj dhe madje nisma “Balkani i Hapur” e ka nxjerrë më në pah këtë gjë. Ne do ta trajtojmë me durim këtë mosdakordësi. ”Ballkani i Hapur” është një nismë që na jep mundësi ndërveorimesh në të gjitha nivelet. Do të punojmë shumë fort në këtë drejtim dhe do të punojmë në çdo sektor për tu dhënë mundësinë të gjithë aktorëve të ekonomisë tonë që vit pas viti të ketë mundësi më të mëdha”.
Pjesë nga fjalimi
Kemi të gjithë eksperiencën për të kërkuar nga vetja shumë më tepër cilësi në komunikimin publik. Një cilësi të re ne duhet të synojmë në marrëdhëniet tona parlamentare me Kuvendin e Kosovës. Duhet të jemi më të pranishëm në Prishtinë, si deputetë, për të diskutuar me kolegët deputetë atje, për të ndarë opinione dhe për të zhvilluar ide në interes të dy shteteve tona dhe do t’i ftojmë të jenë të pranishëm në ambientet e Kuvendit në Tiranë.
Nuk është sekret se në qeverinë e Kosovës gjërat nuk shkojnë vaj dhe mosdakordësia për Ballkanin e Hapur ka marrë një peshë të pamerituar në këtë mes, por Kosova është pjesë e pandashme e jona dhe e së ardhmes sonë të përbashkët. Ne do punojmë që të kemi marrëdhënie sa më vëllazërore, duke u fokusuar në gjithë atë punë dhe drejtime që nuk ka sesi të mos na bashkojnë dhe duke trajtuar me durim mosdakordësinë për Ballkanin e Hapur.
Ballkani i Hapur është një zgjedhje e qartë, e drejtë, kuptimplotë për të ardhmen e këtij vendi, ku sa më shumë të ndërveprojmë, përfitojmë nga një hapësirë shumë më e madhe ndërveprimesh në të gjitha nivelet, aq më shumë do të zhvillohemi dhe forcohemi dhe në funksion të perspektivës sonë europiane.
Do të punojmë në çdo sektor për t’i dhënë mundësi të gjithë aktorëve të ekonomisë sonë, që vit pas viti të kenë hapësira shumë më të mëdha dhe pastaj jam i bindur që do kemi rezultate që do flasin vetë pse Ballkani i Hapur nga bën më të fortë si Shqipëri dhe si faktor qoftë në rajon dhe Europë.