Rama: Këshilli Politik e kreu misionin, më duket absurd bojkoti i PD
Kryeministri Edi Rama tha në fund të mbledhjes së Këshillit Politik se ky këshill e ka kryer misionin e tij me marrëveshjen e 5 qershorit, duke shtuar se është në interes të Partisë Demokratike që të zhvillojë procesin e diskutimit.
Rama theksoi se është absurde që të bojkotohet diskutimi lidhur me listat e hapura, pasi vendi nuk është pa institucione dhe pa parlament.
“Erdhëm sot për të shprehur jo vetëm vullnetin, por edhe gatishmërinë për të diskutuar mbi cdo gjë që është e paqartë, që ka krijuar keqkuptim, apo edhe për mos kuptime të caktuara kidhur me pasojat e ndryshimeve kushtetuese. Është në interesin e PD që të zhvillojë këtë proces, sepse ky Këshill Politik e ka kryer misionin e vet me marrëveshjen e 5 qershorit. Mbas 30 korrikut jeta politike vazhdon, kështu që do të na duhet të reflektojmë ligjin zgjedhor, cka Kushtetuta lidhur me listat e hapura do të imponojë.
Më duket absurde që të bojkotohet diskutimi lidhur me këtë, por nuk jemi në kushtet e një vendi pa institucione dhe pa parlament dhe mos ekzistenca imagjinare e parlamentit nga opozita jashtëparlamentare nuk e bën parlamentin inekzistent. Kjo tryezë është ndërtuar si shprehje e vullnetit të mirë dhe si vetëdije nga ana jonë, që pavarësisht faktit që PD dhe aleatët e saj u arratisën në drejtim të paditur, duke braktisur detyrën, ata janë pjesë e një realiteti politik dhe mohimi i këtij realiteti politik do ishte i padrejtë nga ana jonë”, tha Rama.