Rama: Kosova të përmbushë detyrimet e saj, pastaj BE-ja dhe SHBA-ja të merren me Serbinë

Kryeministri shqiptar, Edi Rama, tha të shtunën se Kosova e cila ka bërë zgjedhjen e saj për të qenë në krah të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, duhet të përmbushë detyrimet që dalin nga procesi i bisedimeve për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë, pavarësisht qëndrimit të Beogradit.

Ai i bëri këto komente gjatë një diskutimi mbi Ballkanin Perëndimor në Konferencën e Sigurisë në Munih, në të cilin u fol edhe për shqetësimet që nxiti sulmi i 24 shtatorit të vitit të kaluar në fshatin Banjskë në veri të Kosovës, në të cilin një polic u vra nga një grup serbesh të armatosur.

“Serbia e ka prishur punën jo kur ndodhi Banjskë por kur president (serb Aleksandër) Vuçiç shpalli ditë zie për ata që e kishin kryer sulmin. Por nuk duhen harruar objektivat, ku duhet të qëndrojë Kosova. Kosova nuk po negocion me Serbinë, Kosova, thjesht po negocion me BE-në dhe SHBA-në, siç ne po negociojmë me BE-në. Ka një plan franko-gjerman që është shumë i qartë me gjëra që duhet të bëjnë të dyja palët. Pse duhet të shkojë Kosova në Bruksel ndërkohë që të mbajë anën e saj të nënshkruaj 5 gjëra dhe t’i thotë (Miroslav) Lajçakut që jemi të gatshëm të bëjmë pjesën tonë dhe t’i lënë ata të merren me palën tjetër. Nuk është justifikim për të mos bërë gjëra kur pala tjetër sillet keq”, tha kryeministri Rama.

Senatorja amerikane Jeanne Shaheen e cila bashkë një grup senatorësh takoi kryeministrin e Kosovës Albin Kurti të premten dhe presidentin serb Aleksandar Vuçiç të shtuan tha se një nga gjërat që duhet të bëhet është “të arrestohet (Milan) Radoiçiç dhe të dërgohet në burg”, duke iu referuar ish nënkryetarit të Listës Serbe, i cili mori përsipër sulmin në Banjskë. “Serbia dhe Kosova duhet të bashkëpunojnë për këtë”, tha senatorja Shaheen.

Kosova akuzoi Serbinë për organizimin dhe mbështetjen e sulmit, bdërsa Beogradi e mohoi një gjë të tillë. Ish shefi shërbimit serb të zbulimit, Aleksandar Vulin dha dorëheqje dhe javën e kaluar Ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit James O’Brien, tha në një intervistë me Zërin e Amerikës se kjo ndodhi ngaqë ai “ishte i përfshirë” në të.

Ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla tha se agjencia globale e policisë Interpol, ka lëshuar urdhër-arreste ndërkombëtare për personat e armatosur që sulmuan policinë me 24 shtator.

Sulmi nxiti shqetësime për sigurinë në rajon dhe përpjekje për të ringjallur procesin e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë – Serbi në bazë të një marrëveshjeje për të cilën palët u pajtuan një vit më parë në Bruksel dhe në Ohër.

Marrëveshje nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por kërkon marrëdhënie të mira fqinjësore, njohje të dokumenteve dhe simboleve dhe respektim të sovranitetit dhe tërësisë tokësore të njëra-tjetrës. Ajo kërkon që palët të mos pengojnë njëra-tjetrën në proceset integruese dhe përmbushjen e të gjitha marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet e ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian.

Vjeshtën e kaluar Bashkimi Evropian i kërkoi Kosovës themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe që nënkupton më shumë autonomi për këtë komunitet, ndërsa Serbisë përmbushjen e pjesëve të marrëveshjes që çojnë në njohjen ‘de facto’ të Kosovës.

Në dhjetor Serbia, përmes një dokumenti tha se nuk do të zbatojë asgjë që çon një njohjen e Kosovës, ndërsa Prishtina ende nuk ka filluar punën për asociacionin dhe ngulë këmbë që marrëveshja të nënshkruhet.

Bashkimi Evropian përsëriti disa herë se marrëveshja e arritur më 27 shkurt në Bruksel dhe me 18 mars në Ohër, është ligjërisht e detyrueshme për palët duke u bërë thirrje për zbatimin e plotë të saj dhe shmangien e veprimeve që nxisin tensione.

Diplomacia perëndimore kritikoi rreptë qeverinë e Kosovës për shkak të vendimit për të ndaluar përdorimin e dinarit serb në zonat e banuara me shumicë serbe, një vendim që hyri në fuqi me 1 shkurt, duke nxitur reagimin e Beogradit i cili akuzoi qeverinë e Kosovës se po kërcënon mbijetesën e serbëve në Kosovë.

Shefi i politikes së Jashtme të BE-së, Josep Borrell, takoi ndarazi në Munich kryeministrin Kurtit dhe presidentin Vuçiç, por nuk u dhanë hollësi rreth diskutimeve.

“Qëndrueshmëria dhe paqja në rajon mund të arrihet vetëm përmes normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Rruga drejt kësaj kalon përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja”, shkroi zoti Borrell.

Të dyja vendeve u është thënë se normalizimi është kusht për anëtarësim në Bashkimin Evropian, një aspiratë edhe e katër vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor.

“Bashkimi Evropian është i vetmi realitet në historinë e gjeografisë dhe të hartave me një kufi të jashtëm dhe me një kufi të brendshëm dhe brenda kufirit të brendshëm jemi ne, kështu që nuk mund të na heqin qafe”, tha kryeministri shqiptar Edi Rama gjatë diskutimit në Munich bashkë me presidentin Maqedonisë së Veriut Stevo Pendarovski, presidentin e Malit të Zi Jakov Milatoviç dhe senatoren amerikane Jeanne Shaheen./VOA/

SHKARKO APP