Rama-Kryemadhi: Lezhën e fiton Viktor Tusha

 

Aleanca për Shqipërinë Evropiane” zhvilloi një miting madhështor për të përmbyllur fushatën elektorale në Lezhë. Së bashku me kandidatin e “ASHE”-së për Bashkinë e Lezhës, z. Viktor Tushaj ishin edhe Kryetari i PS-së, z. Edi Rama, deputetët znj. Monika Kryemadhi, z. Arben Ndoka dhe z. Gjovalin Kadeli.

Duke marrë fjalën gjatë këtij mitingu, znj. Kryemadhi tha se populli i Lezhës e ka bërë zgjedhjen e duhur dhe ka marrë drejtimin e duhur për një jetë më të mirë dhe një të ardhme të sigurt ashtu siç e meritojnë lezhjanët. Deputetja e LSI-së vlerësoi angazhimin maksimal të qeverisë në këto 18 muaj në qytetin e Lezhës për t’i dhënë zgjidhje disa prej probleme akute që kanë banorët.

“Populli i dashur e mikpritës i Lezhës, i Shënkollit, i Balldrenit, i Kolshit, i Zejmenit, i Kallmetit, i Blinishtit, i Ungrejt, të gjithë ju të rinjtë dhe të reja që keni ardhur sot këtu në këtë takim keni bërë zgjedhjen e duhur dhe keni marrë drejtimin e duhur. Drejtimin e duhur për një jetë më të mirë dhe drejtimin e duhur për të pasur një të ardhme të sigurt ashtu siç e meriton populli i dashur, mikpritës dhe zemërmadh i Lezhës. Respekt dhe një mirënjohje për z. Kryeministër, për angazhimin e tij maksimal në këto 18 muaj në qytetin e Lezhës. E them këtë sepse unë në zgjedhjet e 2013 mora mandatin e deputetes nga ky qark, por gjatë fushatës elektorale shikoja se si vuajtjet, problemet, zvarritjet e njerëzve kudo nëpër komuna, nëpër institucionet dhe zyrat e shtetit ishin bërë gangrenë dhe kalvar vuajtjesh për qytetarët dhe për banorët e gjithë komunave të Lezhës”, – u shpreh znj. Kryemadhi, duke shtuar se në 18 muajt e fundit në këtë bashki nuk është bërë sa është bërë në 25 vjet në Bashkinë e Lezhës dhe se me reformën e re Lezha do të bëhet një qytet evropian me infrastrukturë moderne. Gjithashtu, znj. Kryemadhi tha se problemet më madhore vijnë nga fshatrat që do t’i bashkohen bashkisë së madhe të Lezhës.

“Në 18 muaj në këtë bashki nuk është bërë sa është bërë në 25 vjet në Bashkinë e Lezhës dhe jam e bindur që me reformën e re territoriale, tashmë ne do të kemi një bashki të madhe, por një bashki e cila do të bëhet si qendra e Lezhës, me një shesh Europian, me ujë 24 orë, me rrugë të shtruara, me shkolla, me kopshte, me çerdhe, për çdo qendër komune. Sigurisht që problemet nuk janë vetëm të qytetit. Problemet më të mëdha vijnë në fshatra. Ne sot bashkë me kolegun tim, Arben Ndokën, ishim në Torovicë, në Marlecaj dhe në kampin e ish-të internuarve. Pamë dhe banesë ku ka qëndruar Todi Lubonja, dhe me thënë të drejtën ishte e dhimbshme. Ajo qendër votimi për 25 vjet kishte votuar Partinë Demokratike, për 25 vjet Partia Demokratik ishte tallur me gjakun dhe me eshtrat e të persekutuarve, të cilët i kanë dhënë pushtetin për 25 vjet Partisë Demokratike dhe ajo jo vetëm që nuk i përkrahu, por u tall me ta, i fye dhe i përdhosi. Dhe sot ata ishin më të bindur se kurrë që drejtimi i duhur është për të votuar Viktor Tushajn në datën 21 qershor”, – theksoi znj. Kryemadhi.

Më tej, znj. Kryemadhi tha se pas zgjedhjeve të 2013-s janë zhbllokuar dhe vënë në funksion 50 kilometra kanale kulluese, duke bërë që fermerëve të mos u përmbyten më të mbjellat. Sakaq, deputetja e LSI-së e vuri theksin te problematikat që kanë pasur komunat, që ishin kthyer në një tmerr për banorët, duke bllokuar edhe shërbimet më të vogla.

“Kudo që të shkosh në çdo fshat të Lezhës do të shikosh probleme, do të shikosh probleme më të mëdha që kanë ata, por për ne që jetojmë në qytet dhe në Tiranë janë shumë të vogla. Do të shikojmë se si qajnë gratë e shkreta, të cilat e kanë mbjellur tri herë fushën me kallamaq dhe nuk arrijnë dot ta korrin, sepse i përmbytet nga bllokimi i kanaleve kulluese. Do të shikojmë se si grave të shkreta u thahet fusha, fasulja, gruri, misri, sepse nuk kanë kanalet vaditëse për t’i vaditur ato dhe në 18 muaj z. Kryeministër, qeveria juaj hapi 50 kilometra kanale kullese dhe shumë shpejt brenda 2015 do të hapi dhe 50 kilometra të tjera, që vuajtja dhe tmerri i përmbytjes së këtij qyteti të mos jetë më mospastrimi i kanaleve kulluese. Sepse normal, gjithmonë shteti është parë si një gjë për ta vjelur dhe për ta rrjepur dhe aq më keq në periferi të tilla, siç janë komunat të cilat ishin kthyer në kasap të vlerave të komunave dhe të pushtetit vendor. Ishin kthyer në tmerr përsa i përket asaj që çdo qytetar për të marrë një certifikatë lindjeje duhet të kalonte në presionin qoftë të zyrave të gjendjes civile, qoftë edhe në tmerrin apo presionin që bën kryetari i komunës”, – deklaroi znj. Kryemadhi, e cila në mbyllje u bëri thirrje lezhjanëve që më datën 21 qershor të votojnë Viktor Tushajn, sepse është drejtimi i duhur, është vizioni për të ardhmen, për të pasur një Lezhë europiane.

“Sigurisht për të folur për hallet e Lezhës janë pafundësisht, por fisnikëria e këtij populli që i përballon me një fisnikëri të paparë, që i përballon me një forcë të paparë, me një energji të paparë që na e transmeton dhe ne deputetëve të Lezhës na bën dhe na jep më shumë energji për të punuar dhe për të qenë më pranë jush. Prandaj unë bëj thirrje që në datën 21 qershor të votojmë Viktor Tushajn, sepse është drejtimi i duhur, është vizioni për të ardhmen, për të pasur një Lezhë europiane, për të pasur një Lezhë që e meritojnë të rinjtë dhe të rejat e Lezhës për t’u kthyer nga emigracioni dhe për të qenë më Europian se sa jetojnë në vendet e Europës”, – nënvizoi znj. Monika Kryemadhi.

Kryetari i PS-së, z. Edi Rama edhe një herë theksoi se qeveria ka mbështetur totalisht kryebashkiakun aktual të Lezhës, z. Tushaj dhe do të vijojë ta bëjë këtë edhe pas zgjedhjeve të 21 qershorit. Z. Rama deklaroi se në Lezhë ka ndodhur një transformim spektakolar që ka bërë Lezhën një nga realitetet më transformuese të Rilindjes Urbane.

Kryetari i PS-së nënvizoi se qytetarët e Lezhës do të jenë krenarë që janë qytetarë të kësaj bashkie dhe këtë krenari të rikthyer qytetarët e Lezhës duhet t’ia dinë për nder, Viktor Tushajt.

“Unë besoj se nëse pyetja shtrohet kështu, atëherë ka vetëm një drejtim dhe nuk është drejtimi i flamujve të partive, por është drejtimi i njeriut të duhur dhe i administratorit të duhur dhe të kryetarit të duhur të Bashkisë, Viktor Tushajt, i cili e ka të gjithë mbështetjen tonë të ASHE-së për një arsye shumë të thjeshtë, sepse është njeri ndër menaxherët publik më të shkëlqyer në Republikën e Shqipërisë. Kjo është historia evropiane të përkatësisë qytetarëve, ku Lezha është një ndër vendet që flet më shumë. Është një ndër vendet ku historia jonë ka relievin më të spikatur dhe një ndër vendet ku ky fakt u harrua dhe bëri që thesari historik që është prapa shpinës time të mbulohej nga ferrat dhe nga delet. Ky shesh ishte një parkim i rëndomtë makinash. E pra sot, ky organizim spektakolar është një rrjedhojë e drejtpërdrejtë, që e ka bërë Lezhën një nga modelet rrezatuese. Ky është fillimi i transformimit europianizues i Lezhës. Kjo do jetë një hapësirë kulture, pikëtakimesh, për të gjithë ata banorët e rinj pas zgjedhjeve lokale, ku do kenë bashki të re. Kjo krenari po rikthehet për Lezhën dhe merita i shkon Viktor Tushës. Është herët për të folur për histori, pasi Viktori ka shumë për të bërë dhe ne kemi shumë për të dhënë”, deklaroi z. Rama.

Ndërkaq, z. Rama u shpreh se ndjen keqardhje për vitet që Lezha ka humbur nën drejtimin e PD. “Por, – vijoi Rama, – ne nuk do të rreshtim deri sa fuqitë tona, idetë tona, programi ynë të shterojë të gjithë potencialin dhe mundësitë për t’i dhënë lezhianëve dhe qytetarëve, të gjithë fshatrat hapësirat, pa iu ndotur mushkëritë de pa iu trembur së ardhmes”.

“Ne së bashku me Ilir Metën, nuk kemi dalë për të bërë politikë kundër kundërshtarëve tanë, apo për të bërë bilancin e qeverisjes tonë, që sigurisht do ta bëjmë në fund të mandatit, por kemi dalë për të thënë se përse votohet në këto zgjedhje. Kemi dale që komunitetet të dëgjojnë nga ne që komunitetet të dëgjojnë që ne mbështesim çdo projekt që kandidatët tanë kanë për çdo bashki”, theksoi z. Rama.

Ndërkaq, kandidati i “ASHE”-së për Bashkinë e Lezhës, z. Viktor Tushaj tha në fillim të fjalës së tij se ashtu si në marsin e largët të vitit 1444 kur bëhej Besëlidhja e Lezhës të gjithë janë mbledhur mbledhur në këtë shesh historik nga të gjitha anët.

“Bij e bija të Zadrimës e Bregut të Matës, Velës e Ungrejt, Malësisë së Lezhës e Zejmenit, Torovicës, Kallmetit dhe Shëngjinit për një kontratë të re, për t’u bashkuar në drejtimin e duhur për të përshpejtuar zhvillimin dhe begatimin e Lezhës për të nënshkruar aktin e madh të fitores së 21 qershorit. Asnjëherë më parë ky shesh nuk ishte sistemuar më mirë se sa është sot. Në krah të memorialit të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit, ky shesh duket si një amfiteatër idesh, me skenë e projekteve tona zhvilluese, arenë debati dhe lob kuvendi, ku bashkëbisedimi me qytetarët, këtu më shesh, por edhe në çdo cep të bashkisë së madhe të Lezhës për të tashmes dhe për të ardhmen tonë të përbashkët ka qenë lajtmotivi ynë”, – tha z. Tushaj.

Kandidati i së majtës deklaroi se ky takim mbresëlënës dhe i përzemërt vjen pas shpalosjes së programit qeverisës për katër vitet e ardhshme në çdo sofër lezhjane, lagje dhe fshat, të njësive të reja administrative të bashkisë së madhe, por edhe pas takimesh të ngrohta në rrugë dhe ambiente familjare.

“Ky takim vjen pas shumë shtrëngime duarsh me të rinjtë dhe të reja, votues për herë të parë por edhe të moshuar, burra dhe gra të këtij vendi të cilat do të doja t’i falënderoja fort nga zemra, për optimizmin që keni transmetuar tek ne, për tolerancat dhe qytetarinë për të cilin përcollët këtë fushatë por mbi të gjitha për idetë. Mendimet dhe sugjerimet tuaja për programet dhe projektet duke ju garantuar se jeni ju që e bëtë më të mirë, më të plotë dhe më të besueshëm atë. Lezha është vendi i mrekullueshëm ku shpresa për ndërtime të nj tashme më të mirë dhe nj të ardhme akoma më të begatë është vullneti ynë i palëkundur për ta realizuar dhe besoj se në harkun e këtyre dy mandate ve kemi treguar këtë. E filluam udhëtimin tonë së bashku para 8 vitesh me dëshirën dhe pasionin për të ndryshuar imazhin e këtij qyteti”, – nënvizoi z. Tushaj, duke shtuar se historia 3-mijë vjeçare, zona arkeologjike, zhvillimet e ngjarjeve me rëndësi jo vetëm për Lezhën, por si ngjarjet më të rëndësishme të historisë së kombit tonë, me asete të rëndësishme historike, vlera këto të papërsëritshme dhe të jashtëzakonshme të këtij qyteti, kanë qenë dhe janë frymëzimi i tij.

“Edhe vëmendja jonë në adresimin e projekteve promovuese, të gjithë kësaj pasurie në ndërtimin e atyre infrastrukturave që i nevojiten një qyteti të tillë ka qenë e madhe. Prandaj ambicia jonë për të realizuar projekte me cilësi të lartë dhe standarde bashkëkohore evropiane po bëhet çdo ditë realitet në këtë qytet. Kush mendonte para disa vitesh se ëndrra e sheherlive do të bëhet realitet me një rrugë që lidh jo vetëm kalanë me qytetin, por edhe lagjen e qyteteve më të hershëm. Kush mendonte se spitali rajonal do ta zgjidhte një herë e mirë problemin e trafikut mbytës që vinte seriozisht në rrezik jetën e qytetarëve me një infrastrukturë rruge që tashmë jo vetëm lehtëson tashmë trafikun ku në harkun e pak sekondave arrihet në destinacion por edhe bën integrimin e banorëve Varosh përmes kësaj infrastrukture në komunitetin qytetar”, – vijoi kandidati ASHE-së për Bashkinë e Lezhës.

Më tej, z. Tushaj u shpreh se Lezha është kthyer në një kantier ndërtimi falë këtij investimi të siguruar nga qeveria zvicerane dhe banka gjermane dhe se sheshi administrativ nga një parking ndotës është kthyer në një shëtitore që zien çdo mbrëmje nga qytetarët dhe shumë shpejt do të bëhet vendi i takimit të artistëve, teatër kulture apo vend i panaireve të biznesit, etj.

“Kush mendonte se Lezha do të kishte një ujësjellës që do t’i garantonte furnizimin me ujë të pijshëm 24 orë të gjithë banorëve të qytetit dhe periferisë së tij. E pra sot Lezha është kthyer në një kantier ndërtimi falë këtij investimi të siguruar nga qeveria zvicerane dhe banka gjermane. Sheshi administrativ nga një parking ndotës është kthyer në një shëtitore që zien çdo mbrëmje nga zërat e fëmijëve, bisedat e grave, xhirot e qytetarëve, e vizitorëve dhe turistëve që shumë shpejt do të bëhet vendi i takimit të artistëve, teatër kulture apo vend i panaireve të biznesit etj. Ndaj duke qenë të vetëdijshëm se ne nuk kemi bërë çdo gjë që kanë nevojë qytetarët, nuk i kemi realizuar të gjitha pritshmëritë e tyre, por me modelet që kemi krijuar, investimet që kemi realizuar dhe shërbimet që kemi përmirësuar kemi të drejtën t’i kërkojmë votëbesimin banorëve të bashkisë së madhe të Lezhës sepse besojmë se jemi drejtimi i duhur për të vazhduar rrugën e transformimit të bashkisë së madhe për të transferuar këto modele zhvillimi në çdo lagje dhe në fshat të njësive të reje”, – theksoi kandidati pë Bashkinë e Lezhës.

Duke folur për reformën administrative-territoriale, z. Tushaj u shpreh se është reforma historike që i duhet këtij vendi dhe që do të thotë potencializim dhe shfrytëzim i të gjitha resurseve të mrekullueshme që ka Lezha në fushën e turizmit e llojeve të tij, bujqësisë, blegtorisë e peshkimit.

“Do të thotë përmirësim, barazim dhe standardizim të vazhdueshëm të shërbimeve ndaj qytetarëve. Kjo do t’i garantojë një zhvillim ekonomik e social shumë të shpejtë gjithë zonës. Me një administratë të përkushtuar dhe nivel të lartë kualifikimi do të punojmë që përcaktojmë rrugët për ta bërë të gjithë bashkinë e ardhshme model të administrimit të territorit dhe të qeverisjes bashkëkohore. Do të frymëzojmë bashkëjetesën dhe harmoninë qytetare në një bashkësi të madhe duke punuar së bashku me përkushtim për një të ardhme më të mirë për të gjithë. Sfida jonë e qeverisjes së bashkisë së madhe do të jetë punësimi dhe shërbimet. Vizioni ynë, strategjitë, programet dhe projektet tona do të kenë në fokus punësimin e burrave dhe të grave të këtij vendi në mënyrë të veçantë, të rinjve dhe të rejave, duke bashkuar dhe orientuar kështu realisht, energjitë mendore dhe fizike, dihet dhe kompetencat e tyre drejt mirëshfrytëzimit të këtyre resurseve pafund që ka Lezha të cilat të harmonizuara me njëra-tjetrën, por dhe të mbështetur nga parku industrial do të jetë sfida jonë e përbashkët që do të bashkëndajmë me qeverinë partneritetin strategjik zhvillues për të garantuar suksesin e këtij projekti madhor dhe përmes tij zhvillimin ekonomik gjithë bashkisë së re”, – shtoi z. Tushaj.

Ndërsa, sa i përket bujqësisë, kandidati i ASHE-së u shpreh se rehabilitimi i sistemit kullues do t’i garantojë në çdo cep të bashkisë së madhe dhe 19 mijë hektarëve eliminimin përfundimtar të përmbytjeve si dhe vënien në eficencë të sistemit të vaditjes.

“Bujqësia blegtoria, peshkimi dhe bimët medicinave, rehabilitimi i sistemit kullues duke i garantuar në çdo cep të bashkisë së madhe dhe 19 mijë hektarëve eliminimin përfundimtar të përmbytjeve si dhe vënien në eficencë të sistemit të vaditjes. Ngritja e magazinave të grumbullimit, seleksionimit dhe të standardizimit në dy zona si ajo e bregut të Matës dhe e Zadrimës. Mbështetje dhe fuqizimi i industrisë agro-përpunuese si një traditë tashmë në rrethin e Lezhës, por dhe si një garanci për tregun e prodhimeve bujqësore, blegtoriale. Modernizimi i industrisë së peshkimit duke filluar me projektet e përmirësimit të standardeve të flotës dhe të anijeve të peshkimit. Infrastrukturës së ankorimit, ngritjes së një kantieri mirëmbajtje si dhe një magazinë tregu me standarde evropiane. Sigurimi i një partneriteti me institucione të ndryshme financiare që mbështesin krijimin e fermave bujqësore dhe blegtoriale me qëllim rritjen e punësimit dhe të prodhimit”, – tha z. Tushaj, teksa në fund u shpreh se Lezha meriton kontributin e të gjithëve dhe se kandidimi i tij s’është tjetër veçse një pjesë modeste e atij përkushtimi që kanë edhe banorët e mirë të Lezhës për zhvillimin dhe përparimin e tij të pandalshëm

“Qëllimi ynë është një dhe i vetëm, më shumë rrugë të asfaltuara, qendra banimi të kualifikuara, të ndriçuara e mjedise të gjelbëruara. Ujësjellës, shkolla dhe kopshte për fëmijët, qendra sportive për nxënësit dhe të rinjtë, ambulanca dh qendra shëndetësore të reja dhe më të pajisura. Më shumë ujë për vaditje e kanale kulluese, më shumë mbështetje për bujqësinë, blegtorët dhe prodhimet e tyre. Më shumë qendra përpunimi të prodhimeve bujqësore, më shumë punësim për banorët dhe të rinjtë. Më shumë punë, prodhim dhe mirëqenie. Lezha meriton kontributin e të gjithë neve. Ndaj dhe kandidimi im s’është tjetër veçse një pjesë modeste e atij përkushtimi që kanë edhe banorët e mirë të Lezhës për zhvillimin dhe përparimin e tij të pandalshëm. Ky qytet vërtet të frymëzon, të jetë diçka nga vetja për t’i shërbyer me devocion. E ndjej veten me fat që më është dhënë mundësia për të vënë atë gurë që më takon në kështjellën e tij të lavdisë. Mbështetja juaj është garanci e fitores së 21 qershorit. Rroftë populli i bashkisë së madhe të Lezhës”, – deklaroi kandidati i ASHE-së për Bashkinë e Lezhës, z. Viktor Tushaj.

 

 

SHKARKO APP