Rama: Kurba e rasteve me COVID nuk po rritet, do dalim nga lufta më shpejt se të tjerë
Kryeministri Edi Rama në komunikimin e tij të fundjavës deklaroi se është më i vendosur se kurrë të mbrojë jetën e çdo shqiptari në luftë me koronavirusin, por gjithashtu dëshiron që në këtë luftë të madhe që ka kapluar globin Shqipëria të mos dalë e gjunjëzuar dhe e turpëruar.
“Kush ju tha që është histori që mbaron për 2 javë dhe më pas do dalim të përqafohemi? Edhe Amerika që thoshte se ky virus do ikë vetë tani po tejkalon Kinën për rastet e të prekurve, mirë Amerika është Amerikë, por ne duhet ta kuptojmë që jemi në emergjencë, kjo nuk është lojë kukafshehtazi. Ka disa që nuk duan të dëgjojnë dhe të kuptojnë të vërtetën. Unë di se po vazhduam kështu do ta kalojmë pa qindra mijëra viktima dhe do t’i hapim pjesë pjesë rrugët e jetës, por po u lëshuam me të dalë ku të dalë ne do bëhemi gazi i këtij planeti. Kësja radhe jam më i vendosur se kurrë të mbroj jetën e cdo shqiptari, me cdo mjet. Famlija jonë e madhe, Shqipëria nuk mund të gjunjëzohet e turpërohet në këtë luftë. Turpi do ju mbetet atyre që një fjalë të mirë nuk e thonë dot por nxjerrin nga goja veç vrer”, – tha Rama.
Sipas kryeministrit qëndrimi në shtëpi I ka dhënë rezultatet. Pasi sic sqaroi, fakti që kurba e rasteve të reja me COVID 19 në vend nuk po rritet, do të thotë se ka funksionuar rezistenca e shqiptarëve.
“Falë rezistencës tuaj ne do t’ja dalim, do t’ja dalim më shpejt se shumë të tjerë, se i morëm masat në kohën e duhur. Ne i rezistojmë dhe i respektojmë të gjitha masat. Ajo kurba që nuk po rritet është rezultat i kësaj rezistence, që ta ecim para ka vetëm një rrugë: rezistencë për ekzistencë”, -përfundoi ai.