Rama: Luçiano Boçi njësoj si Basha, nuk e ka problem fare të gënjejë popullin
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama tha se kandidati i koalicionit “Bashkë fitojmë” në Elbasan, Luçiano Boçi njësoj si Lulzim Basha nuk e ka problem fare të gënjejë popullin.
Në një takim me gratë dhe vajzat në Elbasan, Rama u kujtoi demokratëve të Elbasanit se në 14 maj do të shkojnë te qendra e votimit dhe aty të votojnë një njeri që thotë se do e bëjë Elbasanin shesh xhirimi, (Luçiano Boçi) dhe një njeri që nuk ka lidhje me të djathtën e PD-në, “Like floririn”.
“Janë 3 burra përballë në fletën e votimit në zgjedhjet e 14 majit, 2 në Tiranë dhe një në Elbasan. Njëri nga ata të dy as mund ta shënojë emrin në fletën e votimit se është non grata. Tjetrin nga ata të dy kemi bërë të gjitha që ta sjellim në rrugë të mbarë, por nuk i ndahet rrugës mbrapsht. Kurse i treti është këtu në Elbasan. Më besoni që unë mendoja që Lul Basha ishte kulmi i artistit që të rren edhe kur e pyet sa është ora.
Luli është shumë më i vërtetë dhe shumë më serioz se sa Luluçi që keni ju këtu. Unë nuk besoj se në historinë e zgjedhjeve në botë ka pasur ndonjë kandidat që e ka filluar me ndonjë skenë filmi, ku kandidati bashkë me një investitor konsulent që do të sillte 400 milionë euro në Elbasan dalin para popullit dhe firmosin marrëveshje. Në marrëveshje thuhet: kryetari i ri i bashkisë. Një status që nuk ekziston”, tha Rama.