Rama me fermerët në Korçë: Ka ardhur koha të krijoni sa më shumë kooperativa
Kryeministri Edi Rama zhvilloi ditën e sotme një takim me fermerët në Dvoran të Korçës.
Në fjalën e tij, Rama tha se duhet më shumë bashkëpunim midis fermerëve, pasi më mirë se ata, askush nuk e di çfarë iu nevojitet.
Rama propozoi krijimin e kooperativave, ose bashkimeve të fermerëve, me qëllim hartimin e politikave të përbashkëta për investime në zona të caktuara.
“Duhet që ju të bashkoheni dhe të thoni që ne duam këtë ndryshim të sistemit, të na vijë uji nga një burim dhe ta shpërndajmë me sistemin me pika. Por nga ana tjetër kur vjen puna te sistemi me pika ky është një investim ekstra dhe për këtë investim dhe ju duhet të bini dakord se duhet të paguani.
S’mund të vijë uji pa paguar, ai ujë që vjen në çdo pemë duhet paguar. Duhet që ata që janë gati të thonë ju silleni deri te burimi qendror pastaj pjesën tjetër e kemi ne. Duhet pak më shumë iniciativë nga bashkitë dhe pak më shumë iniciativë nga ju. Duhet të jemi shumë më bashkë. Është shumë e rëndësishme, nuk mundet të ndërtojmë kuturu, por të kuptojmë çfarë investimesh na duhen. Na duhet një friogorifer tjetër, na duhet një shtëpi tjetër dhe këto janë vendime që merren bashkë, se më mirë se ju nuk e di as ministria çfarë ju nevojitet.
Prandaj është koha të krijohen sa më shumë bashkime, sa më shumë kooperativa, nuk doni ta quani kooperativë quajeni si të doni. Nuk doni ta quani kooperativë quajeni federata e ullirit si në Elbasan”, tha Rama.