Rama, mediave: Jeni përditë kundër meje me thika, gërshërë, dalta, çekiçë, acid…!

 

Kryeministri Rama shtroi një darkë me gazetarë e pronarë mediash ne Pallatin e Brigadave. Ishte ndertuar pak a shume si vitin e kaluar skena dhe salla me tavolinat e gazetarëve. Ne fillim foli Mira Kazhani, me pas Iva Tiço e Lutfi Dervishi. I pamëshirshëm në ironi e sarkazëm ishte Lutfi Dervishi, me mediat servile ndaj Ramës. Ndërsa Kryeministri, i cili dukej disi në formë,sikur thoshte me vete se "nuk kam ç'tu bëj, porse nga halli ju kam ftuar".

Fjala e Lutfi Dervishi mbajtur ne darken e gazetareve te ftuar nga Edi Rama:

Kryeministrit tonë i ka dalë fjala se bën çdo gjë vetë!

Jam i sigurtë se fjalimin e ka shkruar vetë,

se është kujdesur personalisht për dekorin,

Por me ç’po shoh në sallë qenka kujdesur edhe per protokollin se ndryshe…. do te shikoja në sallë… Adi Krastën!

Jam i lumtur që jam sonte këtu! Nuk di të them më i lumtur se Çim Peka që refuzoi, se Muç Nano që bojkotoi apo se ata që mbajnë shënim ardhjet dhe mungesat në këtë darkë.

Dua ta nis fjalën time të shkurtër me sukseset e arritura këtë vit!

Sa suksese kemi arritur! E nisim 2015 me debatin për gropat e buxhetit dhe po e mbyllim me vrimat..ne letërsi!

Nuk mund ta anashkaloj dot, suksesi I madh I qeverisë më 2015 ka qenë ngritja e bunkerit! Por jam I detyruar ta pranoj suksesi më I madh I opozitës është prishja e bunkerit. E vetmja vrimë që nuk mori çmim këtë vit!

Është fakt se qeveria I fitoi zgjedhjet e 2015 përballë opozitës! Druaj se po të garonte vetëm do të kishte humbur.. thellë!

Gjatë 2015 gati u realizua premtimi për shëndetësinë! Të gjithë ata që nuk kanë patur punë me spitalet dhe ambulancat- e morën falas shërbimin.

– Kryeministri na ka dalë borxhit ka themeluar faqen transparenca.al! Faji ynë që nuk e marrim seriozisht… Këtë vit mësuam që nuk duhet të besojmë asgjë që thotë opozita deri në momentin që përgënjeshtrohen në këtë faqe. (Meqë jemi në këtë pikë- në një darkë me gazetarë është thënë: ‘Ka një Judë në media! Po- ky është Endri Fuga, por vetë Endri nuk e di)

2015 ishte një vit i mirë për ne, por i vështirë për Europën dhe botën! Falë altruizmit të qeverisë tonë dhe, nën kujdesin e veçantë të kryeministrit, 100 mijë shqiptarë shkuan të nxjerrin Gjermaninë nga kriza! 200 mijë të tjerë shprehën gatishmërinë për t’iu gjendur pranë Shteteve të Bashkuara të Amerikës!

Edhe në 2015 radio televizioni publik është pa drejtor dhe qeveriset për bukuri. Por kryeministri duhet ta marrë seriozisht këtë situatë, se mos mësohemi keq dhe kërkojmë të qeverisemi si Belgjika… pa kryeministër!

– Vlerësojmë arritjet, por kemi edhe zhgënjimet tona- zhgënjimi më i madh që kam unë ka lidhje me deklaratën programatike: ‘ne nuk do të vjedhim si këta…që ikën’…për ata që nuk e kuptuan batutën po e çoj deri në fund…do të vjedhim ndryshe’!  Dhe ky është zhgënjimi…

Qeveria duhet falënderuar me zë të lartë se kryesisht falë punës saj tri programet më të suksesshme televizive për 2015 rezultojnë Portokalli, Al Pazar dhe Fiks Fare!

Uroj që nga kjo darkë të mos dalë ndonjë problem se druaj se qeveria do të mblidhet sot në mesnatë (qeveria punon natën se ditën është në televizor)…dhe do kërkojë zgjidhjen me koncesion!

Një falënderim i veçantë i takon sonte kryeministrit që nuk ka ftuar ambasadorin amerikan Donald Lu..

Ju e dini që ai e ka për zemër de kriminalizimin. Këtë vit z. Lu është marrë me dekriminalizimin 3 pushtete: Kuvendin, Qeverinë (e mbani mend që ka folur për ministra të korruptuar) dhe Drejësinë!

Po të ishte sonte këtu Ai do të merrej edhe me pushtetin e katërt..dhe do të thoshte:

“Prova ime për korrupsionin është shumë e thjeshtë! Nëse keni marrë ndonjëherë leje ndërtimi apo tendera ne shkëmbim të një politike editoriale në favor të pushtetit  jeni një media e korruptuar…edhe nëse e ke bërë këtë vetëm një herë, ke thyer besimin e publikut dhe nuk je media e pavarur!

Një kriter tjetër shumë i thjeshtë: nëse ulni kokën dhe shikoni kyçin e dorës dhe keni një orë që kushton sa rrogat e papaguara prej muajsh të gazetarëve atëherë ka të ngjarë të jeni njerëz të korruptuar…në shpirt!

Këshilla ime për kryeministrin është: mos shko në televizione që nuk paguajnë gazetarët apo i paguajnë me vonesë! Shqipëria është vend anëtar i NATO-s nuk shkon që gazetarët më lehtë të marrin kredi në bankë se rrogën në vendin e punës!

Ju e dini që e kam zakon të flas me emra, por për këtë temë lista të sakta ka zoti Aleksandr Cipa! Më të sakta se listat e kolonelit Zampa të Ismail Kadaresë!

Media është biznes, por kur bashkohet me politikën: Media- Biznes- Politikë është trekëndëshi Bermudës ku humbet interesi publik!

Ashtu si ne SHBA, televizionet këtu janë private, por harrojnë që eteri është pasuri publike dhe përmbajtja përgjegjësi publike- për këtë duhet pavarësia e institucionit rregullator!

Unë shoh shumë televizion, çdo ditë nga 4 orë, madje edhe 5 nëse ka ndonjë program të mirë- por për 2015 kjo nuk ndodhi!

Në ditët e para kur erdha këtu, do të thoshte Lu, mendova se më ishte prishur televizor, ndërrova 7 kanale dhe shikoja në të vetëm një portrte- atë të kryeministrit – live!

Për 2016 urimi është që të mos rritet numri kanaleve që japin live çdo fjalim të kryeministrit!

Më lejoni ta mbyll me një anekdodë të shkurtër…

Erion Veliaj, Edi Rama dhe Ben Blushi janë dënuar me dënim kapital nga pronarët e mediave dhe u kërkohet dëshira e fundit sipas radhës.

– Erion Veliaj kërkon një iphone 6s për një selfie!

– Edi Rama kërkon, 5 minuta kohë sa për të mbajtur live një fjalim.

Vjen radha Ben Blushit: (doja të përfundoja një libër, por ndërrova mendje) ju lutem,- tha – më varni para se ky të mbajë fjalimin!

 

Fjala e Kryeministrit Edi Rama në pritjen e fundvitit me drejtues të medias dhe gazetarë:

Si fillim doja t’ju kërkoja një duartrokitje për Endri Fugën, për 3 arsye. E para sepse hoqi picirin duke kërkuar folësit. Njëri i thoshte se nuk flas, se po fola do më shajë Fatos Lubonja, por do jem; Tjetri i thoshte nuk flas, se nuk e di kush do flasë tjetër, por nuk do jem dhe një tjetër i tha nuk flas, se po fola do i them të gjitha. Besoj se arsyeja e dytë meriton edhe kjo një pjesë të duartrokitjeve që ju i dhatë, sepse hoqi picirin se kush nuk donte të ulej me kë. Lutfiu me të drejtë tha që me protokollin e me të gjitha, unë përgjithësisht merrem vetë, por këtë herë, siç e shihni, jeni ulur pa protokoll, se numri i njerëzve që s’donin të uleshin me tjetrin ishte impresionues. E treta, sepse Fuga parashikoi që asnjëri nga folësit nuk do pritej me dashamirësi dhe nuk do duartrokitej. Edhe kjo ndodhi. Kështu që, ju njeh shumë mirë.

Ndërkohë po përpiqem edhe unë të them disa fjalë të shkruara, me shpresën se atmosfera e “ngushëllimeve” do të thyhet. Në fund të fundit po mbaron një tjetër vit së bashku, në të njëjtin vend, në të njëjtin qytet, në të njëjtin kremtim të fundvitit, ku njësoj si një vit më parë jemi mbledhur për të njëjtën arsye. Mua më takon si mikpritësi juaj t’ju sajdis me të njëjtin respekt të posaçëm, jo vetëm përmes gostisë së përgatitur me po të njëjtin kujdes të madh në nderin tuaj, por edhe përmes kësaj fjale përshëndetëse, të shkruar me të njëjtën dëshirë si një vit më parë.

Kjo e fundit, e njëjta dëshirë, është sa e mirë, aq dhe e keqe në këtë marrëdhënien tonë dhe ju e dini këtë më mirë se unë dhe për dreq, mu aty ku është e mira, është edhe e keqja. Sepse mua nuk më harrohet dot që dikur kam qenë mes jush, jo gazetar, – Zoti na ruajt të isha edhe unë gazetar si ju, – por shkrimtar faqesh të shtypit të shkruar, kundërshtar me qeverinë dhe kujtesa kryeneçe e asaj kohe më ka bërë nganjëherë gjatë viteve të harroj se megjithëse jam përsëri mes jush, ka kohë që nuk është si më parë.

Unë jam mes jush, tanimë, si kavia kryesore e punës suaj, që duhet të pranoj pa u ndjerë bisturitë, thikat, gërshërët, gjilpërat, turjelat, frezat, sharrat, daltat, çekiçët, acidet, zorrët me presion të lartë e me radhë. Prandaj dhe në fakt e kam bërë një zgjedhje të palavdërueshme, për të mos ju lexuar dhe dëgjuar thuajse fare drejtpërdrejtë, duke u mjaftuar me përmbledhjen njëfaqëshe të zyrës së shtypit, çdo mëngjes.

Nuk funksionon gjithnjë për hir të së vërtetës, sepse ndodh ndonjëherë, rrallë, por ndodh, që edhe të lexoj ndonjë gjë të veçantë që ma sugjeron dikush apo dikush tjetër. Por përgjithësisht është kështu dhe besoj se edhe ju jeni shumë rehat, sepse pushteti “nuk ju flet në dorë”, kur i thonë fjalës dhe dora ju bën gjithçka që ju do mendja dhe zemra. Por edhe unë, t’ju them të drejtën, nuk jam keq, sepse kështu as më lëndohet sqima e shkronjëtarit të dikurshëm të faqeve të shtypit, as më cenohet shija e konsumatorit të zellshëm të fjalës së shkruar me sqimë. Kësisoj ia kursej vetes dhe po jua kursej edhe juve, çdo shfaqje lëndimi që për ju s’mund të jetë tjetër, përveçse kërcitja e dhëmbëve të pushtetit kundër lirisë tuaj për të më trajtuar mua si kavie dhe të drejtës tuaj për të nxjerrë çdo konkluzion, sado arbitrar, që t’ju dëshirojë zemra, mendja apo sponsorët e eksperimenteve tuaja, ose të tria këto sëbashku e të tjera akoma me radhë.

Mirëpo sonte s’kisha si i ikja të mirës së keqe dhe i kërkova zyrës së shtypit që të më ndihmonte për këtë fjalë, me një përmbledhje të punës suaj njëvjeçare, me mua si lëndë e parë e prodhimeve tuaja.

E vërtetë u mahnita. Uau! Sa shumë mund ishte derdhur këtë vit, për të më bërë copa e cika dhe për të nxjerrë nga çdo copë e nga çdo çikë, konkluzione fundore për idealet e mia inekzistente, qëllimet e mia infantile, dëshirat e mia të cekëta, synimet e mia të zymta, deformimet, komplekset, fanepsjet, frikërat, halat në syrin tim, gjëmimet në veshët e mi, ngacmimet në hundën time, të fshehtat në gjak, në bark, në mushkëri, madje edhe në bisht. E shumë analiza, diagnoza, prognoza në vetëm në një vit, ku t’ju them të drejtën, pa qenë edhe vetë i vetëdijshëm, kam mbretëruar, sunduar, shtypur, grabitur, djegur, shkatërruar dhe oh, ç’qejf, o qejf! kam bërë me sejmenë teveqelë, bufonë, klounë, akrobatë, valltarë, rreth zjarrit të madh të ferrit që e ushqej me trupat e të varfërve. E shumë fjalë që ishin thurur pa pushim, një vit rresht, për të provuar me këmbëngulje sesa i telendisur, i kapur, i korruptuar, i pafuqishëm, – madje, të gjitha këto janë citime, prandaj më falni, – i menderosur qenkam, fraxhil dhe i shantazhueshëm deri në atë farë dhimbjeje, sa s’kam ç’i bëj gomarit dhe i bie samarit, në një përpjekje të kotë për të blerë kohë, në ndërkohën që fati im qenka i shkruar si mos më keq.

Aq shumë larg që ju kishte çuar disave ndër ju këtu, përkushtimi për të vërtetën, që të arrini të zbuloni se dëshpërimi im për pushtet ka kapërcyer kufijtë e çdo imagjinate dhe i bashkuar me dëshpërimin tim prej artisti të dështuar ka krijuar një frankeshtain që po mbyt Shqipërinë me terror taksash e gjobash, i cili po i jep qyteteve tona konturet e çuditshme të shtëpisë sime në Surrel, ku ka një fakt tronditës, që edhe i vetëm mjafton për të kuptuar sesa i rrezikshëm është vizioni im: Shtëpia ime nuk ka dritare!

U mahnita sinqerisht për çka lexova, duke u përgatitur për këtë fjalë dhe s’ka rëndësi nëse autorët që pata rastin të lexoj, nuk do ta besojnë që unë sinqerisht u mahnita. Dua sinqerisht t’i falenderoj për këtë luftë fjalësh pa kufi që kanë bërë, në një përpjekje njëvjeçare që do të kishte bërë këdo, – më besoni, – të ndjehej i privilegjuar, për të më bërë copa e çika e për të më nxjerrë nga çdo copë e çdo çikë, një provë therëse të asaj që unë jam dhe të gjithë njerëzit duhet ta marrin vesh një orë e më parë, përpara se të jetë vonë.

E unë do të vazhdoj me stoicizëm të mbetem kavia juaj kryesore, duke pritur me kërshëri të madhe fundin e viti tjetër, për të lexuar gjetjet e vitit që vjen. Jam shumë kurioz se çfarë ka mbetur pa thënë. Me siguri, shumë gjëra të tjera do të dalin në këtë kërkim shumë impresionues në të gjitha të thellat e skutat e qenies sime dhe do të mundohem t’ju jap arsye të reja që të bëni analiza të reja, të gjeni diagnoza të reja, të nxirrni konkluzione të reja dhe të pasqyroni me gjetje të reja, librin e shënimeve tuaja. Por edhe në mos mundsha unë t’ju gjendem me të reja, tanimë është e provuar botërisht se jeni kaq thellë brenda meje dhe i zbuloni kaq symbyllas, të gjitha paramendimet dhe prapamendimet, madje përpara se ato të më vijnë, apo të më qëndrojmë mbas mendimeve, sa jam i bindur që do t’i gjeni vetë.

Nga ana tjetër, i kërkoj ndjesë të gjithë atyre ndër ju që nuk janë marrë shumë me mua, që vëmendjen kryesore në këtë fjalë ma morën ata që aq shumë janë marrë me mua. S’desha të bëj një fjalë të gjatë nga ato zakonshmet, që ju i keni aq shumë problem, por në fakt, aq shumë merreni me to, saqë është e vetvetishme pyetja se çfarë do të bënit, sikur ato mos ishin.

Sinqerisht nuk keni faj, sidomos ato që kanë hyrë aq thellë brenda meje dhe kanë parë kaq shumë gjëra në brendinë time, saqë nuk kanë nevojë më as të shohin, as të dëgjojnë, as të dinë se ku jam, çfarë po bëj, sepse janë në gjendje t’i marrin me mend të gjitha këto, me një saktësi që e tejkalon realitetin.

E gjithsesi përtej të gjithës dhe të gjithave, prapë një gjë mbetet, – besoj unë, – më e rëndësishmja për t’u thënë nga lartësia e një detyre që më ka mësuar diçka, që ju ndoshta nuk keni pasur kohë ta zbulonit, ose mbase në përpjekjen për t’i bërë gjithë këto zbulime, ju është bërë e pamundur që të zbulonit një gjë shumë të thjeshtë; që përkohshmëria jonë në këtë botë është kaq e shpejtë, sa që sinqerisht nuk ka asnjë kuptim që të jetojmë duke harruar të qeshim me njeri-tjetrin dhe t’i buzëqeshim njëri-tjetrit, sa më shumë.

Duke  e mbyllur, dua t’ju them me shumë sinqeritet që ju uroj çdo të mirë të gjithëve, sepse përtej gjithë asaj që bëjmë gjatë ditës, e vërteta më e thjeshtë mbetet fakti se një ditë tjetër ikën, një muaj tjetër ikën, një vit tjetër ikën, vite të tjera ikin. Koha kalon me shumë shpejtësi, për t’u humbur vetëm me gjëra që i marrim ndonjëherë më shumë seriozisht seç duhet dhe duke harruar që t’i buzëqeshim njëri-tjetrit. E di që për një njeri të destrukturuar deri në atë pikë sa thashë, tingëllon pak e vështirë për t’u besuar që unë kam dëshirë t’ju shikoj të gjithëve të buzëqeshur, por të jeni të sigurt që është një dëshirë shumë e sinqertë, që buron nga arsye të mirëmenduara, të cilat më mirë t’i lëmë për vitin tjetër.

Gëzuar të gjithëve!

Paçi shëndet!

Paçi sukses!

Mbi të gjitha paçi sa më shumë gëzime dhe lajme të gëzuara! Se për lajmet e pagëzuara kujdeseni vete nga mëngjesi deri në darkë.  

SHKARKO APP