Rama mesazh grave në Elbasan: Nëse e keni burrin të “mbrapshtë”, ditën e votimit mbylleni në shtëpi
Në fushatën përmbyllëse në Elbasan, kryeministri Edi Rama ndër të tjera foli edhe për e kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Elbasan, Luciano Boçin ku e quajti “Luluçi”. Rama pati edhe një mesazh drejtuar grave, që nëse e kanë burrin të “mbrapshtë”, ditën e votimit ta mbyllin në shtëpi.
“Ja keni dy shembull Evis Kushin dhe Luluçin, të dy elbasanlli, të dy profesorë. Njëri krenari e gjithë qytetit dhe tjetri sikur ka dalë nga arkiva e Kinostudios që duket sikur ka rregulluar flokët si Koçi teta Olgës. Do bëjmë Elbasanin shesh xhirimi. Po mor po e bëjnë për të ardhur këtu e për t’u gënjyer.
Kishte thënë ky se do bëjmë “made in Elbasan”. Kam dëgjuar “made in Italy”, “made in Spain”, mund të ketë “made in Albania”, por Elbasan s’kisha dëgjuar ndonjëherë. Kurse ky do bëjë atë që se ka as bota.
Mos harroni që ai është kandidati i faqes së zezë, vetëm për këtë që i ka dhënë fytyrë dhe zë faqes së zezë. Ata nuk duhet të votohen. Nëse këto shoqe e komshie, krushka thonë burrin e kam të mbrapshtë, ta mbyllin në shtëpi. Ne nuk duam të na votojnë ne, problem është mos dalin fare dhe mos ndyjnë dorë duke votuar. Lëri në shtëpi që të bëjnë byrekë”, tha Rama ndër të tjera.