Rama mesazh në kujtim të Hajdaragës: Ishte babaxhan

Kryeministri Edi Rama ka kujtuar sot me një mesazh te ndjerë, ish-ministrin socialist Luan Hajdaraga.

“Lakja lehtësonte edhe situatat më të ndera në tryezë, kur brenda familjes sonë politike kishte sherre nga ato të mëdhatë fare, të kohës kur ambiciet e protagonizmat individuale, kishin shpërthyer si breshër mbi kokën e Partisë Socialiste”, shkruan Rama.

Në postimin e tij në Facebook kryeministri e çmon Hajdaragën dhe punën e tij duke e përshkruar si një burrë të paqtë me humor dhe babaxhan.

Postimi i Kryeministrit Rama:

HOMAZH
LUAN HAJDARAGA ishte babaxhan. Njeri i ditur, burrë i paqtë me humor dhe i tavolinës, Lakja lehtësonte edhe situatat më të ndera në tryezë, kur brenda familjes sonë politike kishte sherre nga ato të mëdhatë fare, të kohës kur ambiciet e protagonizmat individuale, kishin shpërthyer si breshër mbi kokën e Partisë Socialiste.
Çdo të mërkurë kur mblidhej qeveria, Lakja dhe unë ishim rregullisht disa minuta para orarit në vendet përkatëse, e në pritje të fillimit të mbledhjes, si zakonisht me vonesë të konsiderueshme, këmbenim biseda nga më të ndryshmet. Ai ishte ministër i mbrojtjes në atë kohë dhe në atë karrige e zuri edhe lufta e Kosovës, të cilën e përjetoi me një ndjenjë përgjegjësie aq të madhe sa shpesh përhumbej fare, e i thosha me të qeshur, “Lërja Natos mor burrë t’i drejtojë bombardimet, mos i bëj të gjitha vetë!”…
Aq i mirë ishte Lakja me të gjithë, sa të gjithë e thërrisnim emrin e tij në bisedat që nuk ecnin kollaj për shkak të marrëdhënieve të acaruara, qoftë me Fatosin dikur e qoftë me Ilirin më pas, e automatikisht vinte buzëqeshja e nisnin historitë e të ngrënave heroike dhe batutave epike të Luan Hajdaragës. Nuk di ndonjë rast që Lakja t’ia ketë prishur dikujt a të jetë prishur me dikë, deri ditën që u nda nga jeta si sot një vit më parë. Edhe në largimin e tij nga rangjet e larta të partisë ai ishte si pakkush i pahatërmbetur, më shkruante hera – herës opinionet e tij, me dashamirësi të madhe e sens politik të qartë. Nuk ia përtonte asnjëherë as intervistave e debateve televizive kur e ftonin të merrte pjesë dhe ashtu babaxhan, mbronte qëndrimet tona pa kërkuar kurrë në këmbim kurrgjësend. E takova në spital kur sëmundja kishte nisur ta vinte poshtë dhe ashtu i penguar në frymëmarrje, më tha mos ki merak, deri në fund me vete më ke! Nuk takoheshim shpesh, por kur më shkon mendja tek Luani edhe sot e gjithë ditën që ai s’është më, më vjen të buzëqesh nga mendimi se edhe në atë botë ai me siguri ia kalon mirë edhe me ëngjëjt, edhe me djajtë.

SHKARKO APP