Rama-Meta: “Kjo është fushata më e bukur. Arsyeja është prania e jashtëzakonshme e grave dhe e vajzave në çdo takim, komunikim e çdo shesh.

 

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim,Ilir Meta mori pjesë në një miting madhështor në Kukës së bashku me kandidatin e “Aleancës për Shqipërinë Europiane” për Bashkinë Kukës, Hasan Halilaj. Të pranishëm ishin edhe Kryetari i PS-së,Edi Rama, Ministri i Financave, Shkëlqim Cani si edhe deputeti Vexhi Muçmata.

Në fjalën e tij përshëndetëse, Lideri i LSI-së Ilir Meta tha se sa herë që shkon në Kukës në mendje kujtimet e çojnë te viti i trishtë 1999, ku falë edhe bujarisë dhe sakrificave të jashtëzakonshme të popullit kuksian, kombi ynë arriti të përballojë krizën më të madhe humanitare, atë të vëllezërve tanë nga Kosova.

“Sa herë vij në Kukës gjithmonë kujtimet më çojnë në vitin 1999 në fund të marsit dhe në fillim të prillit të atij viti historik për mbarë kombit tonë, ku vetëm falë bujarisë dhe sakrificave të jashtëzakonshme të popullit të Kukësit kombi ynë arriti të përballojë krizën më të madhe humanitare, atë të vëllezërve tanë nga Kosova. Dhe unë e kam përjetuar për një muaj resht atë krizë, atë tragjedi, ashtu sikurse e kam përjetuar madhështinë e jashtëzakonshme dhe fisnikërinë e pakrahasueshme të kuksianëve, e cila sa na bën krenar na kujton edhe se sa borxhlinj jemi të gjithë ndaj kuksianëve dhe ndaj Kukësit sot”, – tha z. Meta, duke shtuar se duke mbështetur projektin e Hasan Halilajt, kuksianëve do t’u kthehet një pjesë të këtij borxhi të krijuar ndër vite dhe se bujaria e jashtëzakonshme e kuksianëve nuk e meriton varfërinë me të cilën ndeshen sot.

Gjithashtu, z. Meta nënvizoi se koalicioni i majtë ka një kemi një program të qartë dhe konkret për të luftuar varfërinë dhe për të hapur 500 vende të reja pune brenda dy vitesh. Sipas Liderit të LSI-së, të rinjtë kuksianë do të shohin të ardhmen në vendlindjen e tyre, pasi Kukësi nuk e meriton varfërinë me të cilën ndeshet sot.

“Ndaj e mbështesim projektin e kryebashkiakut të ardhshëm të bashkisë së re të Kukësit, Hasan Halilaj në mënyrë që t’iu kthejmë një pjesë të këtij borxhi të krijuar ndër vite, sepse bujaria e jashtëzakonshme e kuksianëve nuk e meriton varfërinë me të cilën ndeshen sot. Dhe ne kemi një program të qartë dhe konkret për të luftuar varfërinë dhe për të hapur vende të reja pune dhe ne kemi premtuar edhe kur shpallëm programin e kryebashkiakut të ardhshëm të bashkisë së Kukësit, Hasan Halilaj, se 500 vende të reja pune do të hapen brenda dy vitesh. Ajo që unë dua t’iu garantoj sot është se bashku me deputetët tanë Vexhi Muçmata dhe Ylli Shehu, unë si Kryeparlamentar do të trokas në çdo derë, që nga ajo e Kryeministrit, e ministrave, e drejtorëve e institucioneve ndërkombëtare, e donatorëve dhe të gjithëve në mënyrë që të mbështesim projektet për të luftuar dhe për të çrrënjosur një herë e mirë varfërinë nga Kukësi, i cili meriton shumë më tepër. Ua kam thënë të rinjve të Kukësit që janë sot këtu si asnjëherë tjetër, do të punojmë fort së bashku që Kukësi të mos jetë vetëm vendlindja juaj për të cilën jeni krenarë, por të jetë e ardhmja juaj”, – vijoi fjalën e tij z. Meta.

Ndërkaq, Kryetari i LSI-së theksoi do t’i jepet zgjidhje një herë e mirë problemit të ujit të pijshëm në qytetin e Kukësit pas rishikimi që qeveria i bëri projektit të dështuar të qeverisë së mëparshme.

“Me punën dhe projektet tona për të zhvilluar punën dhe projektet anembanë tij, do të ftojmë edhe deputetin e Kukësit, z. Flamur Noka, sepse ne për Kukësin do të punojmë dhe do të bashkëpunojmë me të gjithë. Sepse me 21 qershor votohet për Kukësin, nuk votohet për partinë dhe për sherrin e të enjtes në Parlament. Votohet për të zgjidhur një herë e mirë problemin e ujit të pijshëm dhe ju e dini një herë e mirë se qeveria pas rishikimit që i bëri projektit të dështuar të ujësjellësit, për të cilin u nda Hasan Halilaj me partinë e mëparshme kur ajo ishte në pushtet, sepse nuk mund të merrte pjesë në një ceremoni mashtrimi, inaugurimi që nuk sillte ujë në Kukës, ne e kemi vënë në rrugën e zgjidhjes përgjithmonë”, – tha z. Meta, teksa premtoi zgjidhje edhe për problemin e familjeve të përmbytura nga ndërtimi i hidrocentralit, që nuk kanë përfituar asgjë deri më sot.

Kryetari i LSI-së bëri me dije se qeveria ka marrë një vendim të rëndësishëm për të lehtësuar detyrimet e komunitetit të Shkodrës që ka vuajtur nga përmbytjet e viteve të mëparshme dhe se kjo praktikë do të ndiqet për të ndihmuar edhe familjeve e të përmbyturve në Kukës.

“Ne e dimë që Kukësi ka edhe shumë probleme të tjera dhe do të dialogojmë siç kemi nisur me të gjitha kategoritë. Unë kam pasur herën e fundit një takim me përfaqësues të familjeve të komunitetit të të përmbyturve nga hidrocentrali, të cilët nuk kanë përfituar asgjë deri tani dhe jam i sigurt se përmes këtij dialogu ne do të arrijmë të lehtësojmë problemet e tyre sociale në mënyrë transparente dhe gjithmonë duke qenë realistë dhe me këmbë në tokë. Qeveria sot ka marrë një vendim të rëndësishëm për të lehtësuar detyrimet e komunitetit të Shkodrës, që ka vuajtur nga përmbytjet e viteve të mëparshme dhe kjo është një gjë shumë e mirë dhe e drejtë dhe jam i bindur që këtë politikë në mënyrë transparente do ta shohim për të ndjekur edhe në rastin e familjeve të përmbytura në Kukës”, – nënvizoi z. Meta, teksa premtoi se ndarja partiake do të marrë fund një herë e përgjithmonë dhe se pas 21 qershorit kryebashkiaku Hasan Halilaj do të bashkëpunojë me të gjithë për t’i shërbyer qytetarëve dhe për të zgjidhur problemet e tyre të përditshme.

Kryetari i LSI-së foli edhe për projektin që do t’i japë zgjidhjes patates së Kukësit, një projekt që do t’i sigurojë tregun dhe çmime të leverdishme fermerëve kuksianë në të ardhmen.

“Ne do të përpiqemi të jemi të drejtë dhe të ndershëm me të gjithë kuksianët. Ne nuk do t’i ndajmë kuksianet në PD-istë dhe në socialistë, kjo duhet të marrë fund një herë e përgjithmonë, sepse prandaj bëhen zgjedhjet e 21 qershorit, për të zgjidhur problemet e përditshme me të cilat ndeshen familjet kuksiane që kur dalin nga dera e shtëpisë e deri kur kthehen përsëri atje. Dhe kjo kërkon të zhvillojmë këtë shpirt komuniteti këtë frymë solidariteti dhe bashkëpunimi që për fat të keq nuk e premton alternativa tjetër. Alternativa shpif e shaj ose shaj e shpif nuk sjell as ujin në Kukës, që nuk e solli për 8 vite dhe nuk do të sjellë asnjë progres për komunitetin e Kukësit. Sepse konflikti nuk sjell më asnjë të mirë për asnjë shqiptar dhe natyrisht nuk ka si të sjellë për kuksianët që kanë probleme shumë të mprehta. Prandaj të votojmë për frymën e bashkëpunimit, të votojmë për t’i zgjidhur një herë e mirë dhe me themel problemet e Kukësit ashtu siç kemi në rrugën e zgjidhjes një herë e mirë problemin e patateve të Shishtavecit dhe të gjithë Kukësit, ku për herë të parë ka filluar një projekt mjaft i rëndësishëm nën kujdesin e Ministrit të Bujqësisë që do të garantojë që patatja të ketë një treg të sigurt dhe çmime mjaft të leverdishme për fermerët e Shishtavecit dhe të gjithë Kukësit”, – deklaroi z. Ilir Meta.

Në fund të fjalës së tij, Lideri i LSI-së theksoi se ndarje e re administrative ka nevojë për eksperiencën e Hasan Halilajt që të jetë e suksesshme, në mënyrë që puna të vazhdojë menjëherë më 22 qershor. Z. Meta ftoi të gjithë kuksianët të votojmë për Hasan Halilajn, si kryebashkiak i ri i Bashkisë së re të Kukësit për të ecur më shpejt në drejtimin e duhur për të ofruar shërbime dhe punësim.

“Kryeministri përsëri do të jetë të premten këtu, jo vetëm për këtë çështje, por edhe për probleme të tjera që kanë të bëjnë me zhvillimin e bujqësisë, me zhvillimin e blegtorisë në të gjithë Bashkinë e re të Kukësit. Reforma administrative-territoriale e cila hyn në fuqi më 21 qershor ka nevojë për eksperiencën e Hasan Halilajt që të jetë e suksesshme, në mënyrë që puna të vazhdojë menjëherë më 22 qershor, ndaj unë ju ftoj të gjithëve të votojmë për Hasan Halilajn, si kryebashkiak i ri i Bashkisë së re të Kukësit, të votojmë për një Kukës të zhvilluar që ecën më shpejt në drejtimin e duhur për të ofruar shërbime dhe punësim. Ndaj ju ftoj të vazhdojmë fushatën në mënyrë të qytetëruar dhe të kulturuar siç keni bërë dhe gjatë gjithë kësaj kohe, larg çdo tensioni dhe incidenti të panevojshëm që nuk është në traditën tuaj. Dhe natyrisht ju ftoj të shkojmë me qetësi dhe dashuri më 21 qershor me dashurinë më të madhe për Kukësin dhe të ardhmen e tij”, – tha ndër të tjera gjatë fjalës së tij z. Ilir Meta.

Kryetari i PS-së, z. Edi Rama deklaroi se këto zgjedhje lokale janë pikënisja e zhvillimit të Kukësit. Duke i dhënë mbështetje maksimale kandidatit të “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, Hasan Halilaj, z. Rama tha se kuksianët më 21 qershor kanë një mundësi të artë për t’i dhënë vendlindjes së tyre një të ardhme.

“Kjo është fushata më e bukur që unë mbaj mend. Arsyeja është prania e jashtëzakonshme e grave dhe e vajzave në çdo takim, komunikim e çdo shesh. Unë kam ardhur dhe herë të tjera, por sot ka kaq shumë nëna, motra, gra e vajza, që me praninë e tyre dëshmojnë se janë të gatshme të bëhen një fuqi e madhe mbështetëse e kësaj reforme mbështetëse të integrimit europian”, tha Rama, duke cilësuar reformën administrative një pikënisje për rikthimin e integritetit të shqiptarëve, të cilët vendin e tyre nuk e shohin më të harruar, por e shohin si një vend me 61 njësi të reja zhvillimi.

Duke folur për zgjedhjet lokale, Rama tha se Bashkia duhet të jetë një shtëpi e madhe për të gjithë dhe jo vetëm për partinë. “Me Hasan Halilajn, Bashkia do të jetë një derë e hapur për të gjithë, jo vetëm për ata që kanë teserën e partisë. Me Hasanin, Kukësi do të kthehet shtëpia e të gjithëve dhe prania e vajzave dhe grave do të garantojë që dhe burrat, do ta humbin më pak se në të shkuarën, drejtimin e duhur”.

Sipas z. Rama, shumë shpejt do të nis projekti për rilindjen urbane, rikthimin e ujit të pijshëm dhe krijimi i një tregu të shëndetshëm për tregtimin dhe eksportin e patateve. “Uji i pijshëm është shumë larg këtij qyteti, pasi Shqup-i e harroi. Uji pijshëm nuk duhet të jetë një zotim i yni, por është një e drejtë e juaja, që brenda 18 muajve të ardhshëm do të marrë medoemos përgjigje, për ta kthyer këtë problem në një problem të së shkuarës. Tregtimi i patates së Shishtavecit do të jetë një projekt primar, pasi banorët e Kukësit dhe prodhimi i tyre duhet të tregtohet jo vetëm në Shqipëri, por dhe në eksport”, nënvizoi Rama.

Në fund të fjalës së tij, Kryetari i PS-së shtoi se të dielën e ardhshëm në sheshin në qendër të Kukësit, do të nisë zbatimi i një projekti që do ta ndryshojë rrënjësisht sheshin në fjalë. “Të dielën e ardhshme në këtë shesh do të nisë projekti i rilindjes urbane të Kukësit dhe këto hapësira do të kthehen në një hapësirë që ruan të shkuarën dhe i jep frymë të ardhmes. Këtu do të jenë bashkë Skënderbeu dhe kujtesa e atij momenti që i dha Kukësit, etiketën e dhomës së parë të mikpritjes për kosovarët, të cilët u zbuan nga thundra e dhunës së Millosheviçit. Ky, do të jetë sheshi ku do i bëhet jehonë shoqërisë dhe do të jetë nxitje e pasionit dhe ëndrrave të fëmijëve e të rinjve, që në Kukës nuk është më shkretëtirë, por ka jetë dhe është një qytet si qytetet e tjera europiane e mesdhetare”, – nënvizoi z. Rama, duke theksuar se sheshi në qendër të Kukësit do të kthehet në një nga sheshet më të bukura të Shqipërisë.

Kryeministri Rama gjithashtu ftoi simpatizantët e Partisë Demokratike t’i japin një mesazh të fortë mbështetësve të tyre, duke votuar Hasan Halilajn në 21 qershor. “Ne kemi nevojë për opozitën për të ecur përpara. Prandaj i bëjë ftesë të gjithë simpatizantëve të PD-së, që të votojnë Halilin për t’i dhënë një mesazh të fuqishëm pjesëtarëve të PD-së, që të zgjohen e të shohin në sy problemet e qytetarëve dhe jo të mbeten si gjithnjë në problemet personale. Pasi, shtoi ai, kjo opozitë është ende e lidhur me të shkuarën dhe pa u çliruar prej saj nuk mund të ketë të ardhme”.

Nga ana e tij kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Evropiane” për Bashkinë Kukës, z. Hasan Halilaj, falënderoi të gjithë qytetarët kuksianë për kontributin e tyre për ndërtimin e një platforme konkrete për zhvillimin e kësaj bashkie në 4 vitet e ardhshme. Duke folur mbi prioritet e punës së tij kandidati Halilaj tha se rritja ekonomike, mjedisi, infrastruktura dhe rritja e shërbimeve do të jenë prioritete të rëndësishme.

“Disiplinimi dhe menaxhimi i mirë i burimeve natyrore që ka Kukësi do të jetë një ndër drejtimet e punës sonë ku prioritet do të jetë punësimi i banorëve të zonave ku janë këto burime natyrore. Nuk do të ketë shfrytëzim dhe shkatërrim i burimeve natyrore. Një rëndësi të madhe ne do t’i kushtojmë mjedisit, ku ne jetojmë dhe punojmë, duke organizuar më mirë shërbime në të gjitha zonat sipas specifikave që ato kanë. Nuk do të ketë më qendra fshatrash me grumbuj plehrash por qendra të pastra dhe në shërbim të komunitetit. Motoja jonë do të jetë: “Sa më shumë shërbim ndaj komunitetit”. Pa një infrastrukturë të mirë asgjë nuk do të kishte kuptim. Lidhja e qendrave të komunave me rrugë të asfaltuara do të jetë objektiv i punës sonë. do të shtrojmë mbi 60 kilometra me asfalt dhe të bëjmë shtrimin e rrugëve të brendshme në disa lagje dhe fshatra të Kukësit. Do të bëjmë të mundur inventarizimin e plotë të të gjitha ujësjellësve, kanaleve vaditëse dhe të gjithë pasurive që janë të bashkisë me qëllimin e vetëm që t’i shërbejnë dhe të jenë në funksion të komunitetit”, vijoi kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Evropiane” për Bashkinë Kukës, Hasan Halilaj. Sipas tij vënia në funksion e aeroportit të Kukësit do të jetë një hap i rëndësishëm në zhvillimin e këtij rajoni. “Do të krijojmë kushte lehtësuese dhe favorizuese për një turizëm familjar, liqenor, malor dhe historik sa më cilësor, duke gërshetuar më së miri traditën dhe potencialet që ne kemi”, – tha z. Halilaj.

Kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Evropiane” për Bashkinë Kukës, Hasan Halilaj, deklaroi se bujqësia dhe blegtoria do të jenë në epiqendër të programit. “Nxitja dhe mbështetja me subvencione shtetërore e prodhimit bujqësor dhe blegtoral, me një transparencë të plotë do të bëjë të mundur që kjo degë e rëndësishme e ekonomisë të zhvillohet me ritme të shpejta. Realizimi i shitjes së prodhimeve bujqësore dhe blegtorale, në veçanti i patates dhe i gështenjës do të bëjnë që ky prodhim të rritet sa më shumë. Nuk do të përsëritet historia duke bërë politikë për vota me blegtorinë, me bujqësinë apo me subvencionet por do të bëjmë politikë ekonomike për zhvillimin e Bashkisë Kukës. Siç e dini bëmë të mundur dhënien e titujve të pronësisë për tokat e ish ndërmarrjes bujqësore dhe së shpejti do të mbyllim kalvarin e gjatë 8-vjeçar të vuajtjeve për të njohur këto toka”.

Sipas tij zbutja e papunësisë duke krijuar brenda dy viteve të para të mandatit tonë 500 vende të reja pune do të zbusë sadopak problemet sociale që ka Kukësi. “Motoja jonë do të jetë: “Sa më shumë punësim për qytetarët”. Ndihma ekonomike nuk do të përdoret për presion për votat por do ta marrin familjet që realisht janë të varfra”.

Duke përfunduar kandidati i “Aleancës për Shqipërinë Evropiane” për Bashkinë Kukës, Hasan Halilaj, tha se “do të jetë vota e 21 qershorit e cila do t’i jap fund shpifjeve, trillimeve, terrorit dhe shfrytëzimit të bujarësi kuksiane. Kuksianët duan punë, ujë, mirëqenie dhe përfaqësim sa më cilësor. Ju garantoj para kësaj tribune, në këtë shesh, që do të jem në mbrojtje të interesave të qytetarëve të Kukësit në çdo kohë dhe në çdo rrethanë. Më shumë shërbim dhe më shumë punësim në drejtim e duhur të Kukësit”.

 

 

SHKARKO APP