Rama: Mjekët janë heronj, e dhimbshme që disa ‘Tire’ të hedhin hije mbi heroizmin e tyre
Kryeministri Edi Rama duke u ndalur tek sistemi shëndetësor në vend, deklaroi se është e dhimbshme që disa ‘Tire’, duke kujtuar kështu rastin e sanitares së spitalit COVID2 që mashtroi një familjare të një pacienteje me covid duke i marrë para, të hedhin hije mbi heroizmin e bluzave të bardha.
Ai pohoi se raste të ngjashme ka pasur edhe në Turqi, që sot është shembull për shëndetësinë.
“Mjeket e Covid janë heronj, kanë punë përtej atyre që ne mund të kuptojmë. Është e dhimbshme që një Tire ose disa Tire të hedhin hije mbi heroizmin e tyre. Sistemi ndërtohet nga reforma, reforma kërkon kohën e vet. Ne i japim sistemit një fuqi të re, marrim nga eksperienca e transferimit të dijes, njohurinë që na duhet që ta përhapim në të gjithë Shqipërinë. Për këtë eksperienca e Turqve do na ndihmojë se dhe ata e kanë kaluar këtë proces. Kush e njeh historinë e transformimit të Turqisë, i përket një periudhe më të afër, e dini që përpara 15 vitesh ka pasur një situatë të vështirë, ka pasur Tire lart e poshtë, probleme të mëdha me transparencën dhe ja ku është sot. Ka ndjekur hapat që po ndjekim ne. Shumë kush flet sot për spitalet sikur vjen nga hëna, kur ne kemi marrë detyrën ishte një kohë kur nuk ishte pandemia por ishin njerëzit që vareshin në kangjellat e QSUT se nuk kishin ilaçe, shkonin në spital me batanije me vete, ishte katastrofë më vetë”, tha Rama gjatë një bashkëbisedimi me qytetaret në Fier