Rama: Në 21 vite asnjë serb i hetuar për krimet e luftës, vetëm shqiptarët
Përmes një fjalimi të gjatë në seancën e kësaj të enjte në Kuvend, Rama tha se drejtësia ndërkombëtare ka qenë selektive, pasi shqiptarët e Kosovës po hetohen prej 21 vitesh, ndërsa në krahun tjetër asnjë serb nuk është hetuar për krimet e luftës në Kosovë. Kreu i qeverisë evidentoi se Serbia vijon hapjen e kapitujve të Integrimit me BE-në.
”Nuk dua të hyj në teori konspiracioni, por janë 21 vite, një gjë do të ishte gjetur, një, jo 100 dhe 1000. Të numërosh ato rreth kaq dhe rreth aq, ka të ngjarë të dalin më shumë viktima nga dora e atyre që u ngritën për t’u çliruar sesa nga dora e atyre që u ngritën për të spastruar etnikisht një popull. Kjo është e pashembull, kjo është përgjigja që kam marrë nga ekspertë vendas dhe të huaj. Askush nuk di të thotë se dy individë që janë edhe autoritete në një vend sovran kthehen botërisht, në të akuzuar që nuk kanë akuzë, ku është akuza? Ose është model eksperimental i drejtësisë të re ndërkombëtare.
Kjo është çmenduri. Serbia vijon hap kapitujt e negociatave për integrimin në BE. Unë jam po ai që isha në Beograd, po ai në takimin për shengenin rajonal dhe ai që jam sot dhe nuk u heq asnjë presje për të ndërtuar së bashku me serbët një të ardhme tjetër, por drejtësia selektive nuk është drejtësi dhe drejtësia e proceseve të përsëritura gjyqësore është mungesë drejtësie, kjo është pak por e thënë nga një piktor është e sigurt. Pas shuarjes së UÇK, lufta me armë është kthyer në luftë të ftohtë për njohjet”.