Rama në Athinë, Paskal Milo: Nuk ka kompromis për çështjen e detit

Ish-ministri i Jashtëm Paskal Milo, flet për vizitën e kryeministrit Edi Rama në Athinë, ku u prit fillimisht si piktor me çeljen e një ekspozite. Milo u ndal tek çështja e detit për të cilën tha se është kryesorja në marrëdhënien mes dy vendeve. Për të nuk ka pasur pritshmëri të larta për një kompromis që t’i çohet Gjykatës Ndërkombëtare të Hagës dhe se jemi në një proces për të arritur kompromisin e famshëm për t’ia çuar gjykatës.

”Nuk pashë që Kryeministri të ishte i shoqëruar nga ministrja e Jashtme apo përfaqësues të tjerë të ministrisë që merren me çështjen e delimitmit të ujërave territoriale, por Kryeministri dhe homologu i tij e njohin problemin dhe ndoshta kanë shkëmbyer mendime se si mund të përshpejtohet arritja e kompromisit.

Ekipet negociatore teknike punojnë me njeri tjetrin, por ende nuk është arritur ai kompromisi që flasim. Grup negociator ka sepse janë ekipe teknike në ministrinë e Jashtme, të përbërë nga ekspertë që janë caktuar me kohë dhe punojnë dhe i njohin çështjet.

Në aspektin teknik shkëmbejnë informacione dhe qëndrime, por nuk kemi arritur akoma në fazën finale ku Presidenti në bazë të Kushtetutës duhet t’i japë grupit negociator, delegacionit shqiptar, të drejtën për të negociuar dhe ta dekretojë.

Nuk kemi arritur në këtë fazë. Në këtë fazë do të arrihet kur të ketë një qasje të përbashkët të dy ekipeve negociatore, kur është arritur në parim kompromisi dhe të kërkohet që Presidenti ta vulosë. Jemi ende në diskutimin e aspekteve teknike të grupeve negociatore”,-tha Milo në ”MCN TV”.

SHKARKO APP