Rama në Britani, Partia e Lirisë: Ti kërkojë ndjesë të rinjve që i detyroi të iknin me gomone
Vizita e kryeministrit Edi Rama në Britaninë e Madhe dhe takimi i tij me kryeministrin britanik, Rishi Sunak, është komentuar edhe nga Partia e Lirisë.
Sekretari i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi akuzon Ramën si shkaktarin kryesor të shpopullimit të vendit. Ai tha se Rama duhet të ulte kokën dhe të kërkonte ndjesë ndaj prindërve të të rinjve që kanë kaluar kanalin ”La Mansh” me gomone.
“Sot në Britaninë e Madhe, Edi Rama duhet të ulte kokën dhe t’u kërkonte ndjesë të gjithë të rinjve, që i detyroi të iknin dhe të rrezikonin jetën duke kaluar La Manshin me gomone. Sot ai duhet t’u kërkonte ndjesë prindërve, që me politikat e tij kundër të rinjve, i ndau nga fëmijët e tyre. Edi Rama dhe Qeveria e tij janë shkaktarët kryesorë të humbjes së perspektivës të të rinjve sepse nuk u ka krijuar asnjë mundësi reale për të jetuar në Shqipëri, për t’u punësuar dhe kualifikuar, për t’u ndjerë të sigurt dhe për të krijuar edhe familjet e reja këtu”,-shkruan Blushi.