Rama në Durrës: Jo më ”paga shfrytëzimi”, kemi synim që të mos ketë pagë minimale nën 60 mijë lekë
Kryeministri Edi Rama pasditen e kësaj të mërkure ishte në qytetin e Durrësit, ku zhvilloi një takim me përfaqësues të biznesit të madh. Rama bëri me dije se qeveria synon që brenda vitit 2030, paga minimale të mos jetë nën nivelin 60 mijë lekë.
”Të gjithë e kanë të qartë se sot kemi hyrë në një fazë zëvendësimi të kapitalit njerëzor. Shumë prej zonjave që janë këtu kanë qenë me siguri që në ditën e parë dhe sot pak nga pak me siguri kanë filluar t’i afrohen moshës së pensionit. Është e qartë që zëvendësimi i tyre me djem apo vajza të reja që janë gati të ulen tek makina qepëse dhe të punojnë me përulësi dhe të marrin paga si këto që marrin sot, bëhet shumë e vështirë.
Ajo që ka më shumë rëndësi për ne është që të paktën arsyeja e trajtimit dinjitoz të punonjësve, nuk duhet të jetë problem por përkundrazi duhet të jetë zgjidhja e problemit. Të gjitha sipërmarrjet të rendin të rrisin pagat dhe të mbajnë të paprekur kapitalin njerëzor sepse kur ta humbasin, do jetë shumë vonë. Kur mos të gjejnë më punonjës që duan të vijnë dhe punojnë me paga shfrytëzimi në kohën ku punojmë, do jetë shumë vonë për ta. E gjithë mungesa e respektit ndaj punonjësve do jetë boomerang ndaj këtyre kompanive”,-tha Rama.
Pavarësisht se qeveria e ka të pamundur të ndërhyjë në rritjen e pagave në bizneset private, Rama theksoi se nuk mund të qëndrojë duarkryq teksa sheh se punonjësit nuk vlerësohen. Rama theksoi se brenda këtij mandati synohet rritja e pagës minimale deri në 45 mijë lekë të reja.