Rama: Në janar 2025 publikojmë faqen e re për punonjësit shqiptarë jashtë vendit
Shqipëria ka aeroportin më të madh në rajon, dhe kryeministri Edi Rama informoi se vendi do të ketë një gjeneratë të re të shërbimit të mikëpritjes.
”Sot për të dytin vit, kemi aeroportin më të madh të rajonit dhe jemi mbi Beogradin, që ka qenë kryeqendra e rajonit dem baba dem, dhe e ka pasur aeroport kryesor kur ne kishim një kotec pulash fluturuese, ku pulat numëroheshin në mëngjes dhe në darkë. Përfytyroni një kafene, me tavolina druri ku s’ka njeri, një banakier dhe një kamarier. Terminali po flas! Kaq ka qenë. Sot po përgatisim përditë e më shumë të rinj të cilët do kenë diplomën e Lozanës, dhe do jenë gjenerata e re e shërbimit të mikëpritjes”, tha numri një i qeverisë.
Po ashtu kryeministri dha lajmin se në Janar 2025 do të hapet një faqe e re për punonjësit shqiptarë jashtë vendit. ”Në muajin e parë të vitit të ardhshëm do të publikojmë një faqe të re për punonjësit shqiptarë jashtë vendit, duke filluar nga Greqia, Italia që do kenë ofertat e punës në Shqipëri në sektorët e turizmit dhe ndërtimit. Janë dy sektorë që e them me plot gojë, dhe mund të bëj debat me këdo me fakte e shifra, që kush punon në ndërtim në Greqi e vjen e punon këtu, në fund të muajit ka më shumë të ardhura këtu. Pak, por e sigurt! Do kenë vendet e punës, kontrata pune, me sigurimet, pagat e të gjitha”,-tha Rama.