Rama: Në janar PD të tregojë ku është tufa e kriminelëve

 

Kryeministri Edi Rama deklaroi pas miratimit të ligjit të dekriminalizimit se tashmë Partia Demokratike duhet të tregojë se ku janë kriminelët që pretendonte se ishin në Partinë Socialiste.

“Në janar, kur Parlamenti të mblidhet sërish, do të jetë momenti i së vërtetës për të parë sesa ka patur të vërtetë dhe sa ka qenë propaganda e baltës mbi kundërshtarin. Pres me padurim që të shohim kush janë kriminelët dhe mos gabohem janë numëruar 19 nga ana  e SHQUP-it dhe nga ana tjetër secili të marrë përgjegjësinë përpara popullit shqiptarë për çdo shpifje, akuzë dhe për çdo kriminalizim që i ka bërë Parlamentit për interesa politike”, u shpreh Rama.

Kryeministri deklaroi se janë hedhur bazat për një hap të mëtejshëm në transparencën e plotë në përzgjedhjen e kujtdo që përfaqëson shqiptarët në çdo nivel. 

 

Prononcim i plotë i Kryeministrit Edi Rama pas tryezës së koalicionit qeverisës:

Bëmë një bilanc të vitit nga të gjitha aspektet. Njëkohësisht, diskutuam për ecurinë e mëtejshme të Reformës në Drejtësi, e cila tanimë kalon në një fazë te re, pas mbështetjes së hapur dhe të qartë që Komisioni i Venecias i jep kësaj reforme, si një domosdoshmëri për një ndryshim radikal.

Ne jemi të bindur që është përgjegjësi në radhë të parë e kësaj shumice të votuar nga një milion shqiptarë që të çojë përpara një proces për të cilin shqiptarët nuk janë të ndarë, por janë plotësisht të bashkuar. Një proces që t’u japë shqiptarëve mundësinë që tek dyert e drejtësisë të gjejnë drejtësi dhe nga dyert e drejtësisë të mos shikojnë të dalin më si të pafajshëm, njerëz që meritojnë ndëshkimin e ligjit.

Nga ana tjetër besoj se me votën e djeshme për ligjin për integritetin e figurave që meritojnë qoftë të zgjidhen në çdo nivel nga shqiptarët, qoftë t’u shërbejnë shqiptarëve në administratën shtetërore, kemi hedhur bazat për një hap të mëtejshëm në transparencën e plotë për përzgjedhjen e kujtdo që përfaqëson shqiptarët në çdo nivel apo që duhet t’ju shërbejë atyre në çdo pozicion në administratën shtetërore.

Nuk mund të rri pa shtuar, që pres me padurim që me hyrjen në fuqi të ligjit të shohim se kush janë kriminelët, -të mos gabohem janë numëruar 19 të tillë nga ana e SHQUP-it – dhe nga ana tjetër secili të marrë përgjegjësinë para popullit shqiptar për çdo shpifje, për çdo akuzë, për çdo kriminalizim që për interesa politike i ka bërë parlamentit dhe i ka bërë politikës në tërësi. Megjithatë, ligji hyn menjëherë në fuqi dhe në janar kur të rimblidhet parlamenti, do të jetë momenti i të vërtetës, për të parë se sa ka pasur të vërtetë dhe sa ka qenë propaganda e mirënjohur dhe famëkeqe e baltës mbi kundërshtarin.

Sepse, një gjë është që, së bashku çojmë përpara një proces që lehtëson padyshim çdo votues nga ndenja e keqardhjes madje dhe dëshpërimit, kur i është dashur të votojë për dikë që nuk e meriton, por meriton të jetë jashtë procesit të përzgjedhjes, por një gjë krejt tjetër është kriminalizimi i skajshëm, ekstrem që i është bërë jo vetëm politikës, por edhe Shqipërisë, zyrë më zyrë e vrimë më vrimë, nga ata, që në janar duhet të japin provën se kanë pasur të drejtë, kur flisnin për lista dhe për tufa kriminelësh qoftë në parlament, qoftë në nivele të tjera.

 

SHKARKO APP