Rama: Në javët e ardhshme hapim tenderin për aeroportin e Vlorës
Pas takimit me kryeministrin italian Giuseppe Conte, kreu i qeverisë shqiptare Edi Rama ka marrë pjesë në Asamblenë e Dhomës së Industrialistëve të Detit, nga ku deklaroi se në javët e ardhsme do të hapet tender për ndërtimin e aeroportit të Vlorës. Rama nuk la pa përmendur dhe mundësitë që ofron Shqipëria për qytetarët italianë.
Procedurat për tenderimin e aeroportit të Vlorës do të nisin në javët e ardhshme. Ka qenë kryeministri Edi Rama, i cili ka njoftuar nisjen e ndërtimit të këtij aeroporti, duke theksuar se do të ketë të gjitha kapacitetet europiane.
“Kemi firmosur një marrëveshje për të ndërtuar terminalin e parë modern për kroçerat dhe shpresojmë të ecim përpara në mënyrë që të mbulojmë si Durrësin, ashtu edhe Vlorën me dy terminalë mjaft modernë, të konceptuar, – si përherë që nga koha e Mbretërisë shqiptare, – nga arkitektë fiorentinë.Në javët e ardhshme do të hapim një tender ndërkombëtar për Aeroportin e Vlorës dhe më vjen mirë që shumë grupe italiane kanë shprehur interes në këtë vazhdimësi të përbashkët”, tha Rama.
I pranishëm në Asamblenë e Dhomës së Industrialistëve të Detit, Rama nuk la pa përmendur dhe klimën e mirë të të bërit biznes në Shqipëri.
“Sot të investosh në Shqipëri në turizëm dhe strukturat e pritjes ka një TVSH prej 6% dhe mbi strukturat me 4-5 yje, jo vetëm një TVSH prej 6%, por edhe 10 vjet pa paguar asnjë taksë, po ashtu edhe të gjitha proceset administrative të burokracisë nuk bëhen nga investitorët, por nga strukturat e specializuara të shtetit. Janë struktura të krijuara ‘ad hoc’ për çdo investitor, për të mos humbur në labirintet e burokracisë shqiptare, që edhe pse nuk është aq e vështirë sa burokracia italiane, mbetet gjithsesi një burokraci”, tha ai.
Kreu i qeverisë theksoi se Shqipëria do të ketë gjithnjë brenda saj pak frymë italiane, për shkak të bashkëpunimit të ndërsjelltë mes 2 vendeve.