Rama në monitorim për fushatën, zbulohet kërkesa e parë për leje që qeveria i bëri KQZ-së

Qeveria bën kërkesën e parë për leje në KQZ për aktivitete, vetëm dy ditë pasi hyri në fuqi monitorimi përpara zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit të vitit të ardhshëm.  KQZ  ka publikuar në faqen zyrtare aprovimin për aktivitetin që qeveria kërkoi leje. Bëhet fjalë për hapjen e një zyre të ndihmës juridike falas në Gjirokastër për qytetarët që nuk kanë mundësi, ku e pranishme do të jetë edhe ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj.

Njoftimi i plotë

Planifikohet hapja e një tjetre zyre vendore të Ndihmës juridike Falas këtë rradhë në qytetin e Gjirokastrës.

Qytetarët që përfitojnë janë ata në pamundësi financiare për të marrë një avokat, qoftë për t’u këshilluar, për t’u përfaqësuar në gjykatë apo për të përgatitur dokumentat për përfaqësim në gjykatë, apo për të ditur kujt t’i drejtohen.
Gjithashtu, shërbimet e ndihmës juridike falas ofrohen në mënyrë të drejtëpërdrejtë për grupet vulnerabël / kategoritë e veçanta të ligjit si: gratë viktima të dhunës në familje, viktima të trafikimit, të miturit, grupet në nevojë, grupet që i përkasin komuniteteve apo pakicave kombëtare etj.

  •  29/12/2020 11:00
  •  Bashkia Gjirokastër
  •  Ministër i Drejtësisë Znj. Etilda Gjonaj, Drejtori i Përgjithshëm të Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas z.Ergys Qirici, Kryetari i Bashkisë Gjirokastër, Ambasadori Austrisë Dr. Christian Steiner, Drejtuese e Bashkëpunimit Austriak në Tiranë, znj. Simone Ungersböck dhe Përfaqesuese e Përhershme e UNDP në Shqipëri Znj. Limya Eltayeb
  •  Ministër i Drejtësisë Znj. Etilda Gjonaj, Drejtori i Përgjithshëm të Drejtorisë së Ndihmës Juridike Falas z.Ergys Qirici, Kryetari i Bashkisë Gjirokastër, Ambasadori Austrisë Dr. Christian Steiner, Drejtuese e Bashkëpunimit Austriak në Tiranë, znj. Simone Ungersböck dhe Përfaqesuese e Përhershme e UNDP në Shqipëri Znj. Limya Eltayeb, punonjësit e Zyrës së Ndihmës Juridike Gjirokastër, ekipet e palëve të përmendura.

Por si është rregulli i ri?

Qeveria duhet të marrë leje 5 ditë para për çdo aktivitet. KQZ miratoi vendimin, sipas të cilit para çdo aktiviteti publik, kryeministri Rama do të duhet të marrë leje në KQZ  në mënyrë që të mos shpërdorojë asetet publike për fushatën e Partisë Socialiste. Vendimi vjen si pasojë e një ndryshimi në Kodin Zgjedhor që kufizon qeverinë dhe bashkitë 4 muaj përpara zgjedhjeve.

Thelbi është që qeverisë i ndalohet të jap kontrata koncensionare dhe kontrata të Partneritetit Publik Privat(PPP) deri në zgjedhjet e 25 prillit. Por ndryshe nga propozimet fillestare, lista e aktiviteteve u zvogëlua ndjeshëm.

Më herët, Celibashi kishte përgatitur një dokument ku Ramës i ndalohej shpërndarja e çelësave të shtëpive të rindërtuara, si dhe promovimi i çdo projekti të nisur apo të përfunduar nga infrastruktura e deri tek arsimi e shëndetësia, por në fund drafti pësoi shumë ndryshime.

/Abcnews.al

SHKARKO APP