Rama në Rai 1/ Lubonja: Anomali shqiptare, nuk e bën asnjë kryeministër në Ballkan
I ftuar në emisionin “Të paekspozuarit” përmes lidhjes direkte nga Italia, analisti Fatos Lubonja ka komentuar daljen e kryeministrit Edi Rama në Rai Uno në emisionin “Porta a Porta”.
Sipas tij, vajtja e Ramës në Itali për propagandë është anomali shqiptare duke theksuar se nuk ka asnjë kryeministër në Ballkan apo më gjerë që të bëjnë të njëjtën gjë.
Lubonja nuk kurseu as gazetarin italian Bruno Vespa, moderatorin e emisionit në fjalë.
“Është një anomali shqiptare. Nuk ka kryeministër në botë të shkojë dhe të bëjë propagandë të vendit të vet diku. Keni parë ju kryeministër të Ballkanit, Gjukanoviç apo të tjerët rreth e rrotull të shkojnë e të thonë shikoni sa mirë është atje. E para kjo. E dyta, në qoftë se është fjala për të krijuar një njohje të problemit shqiptar nga mediat italiane, praktikat janë që shkojnë të dërguarit dhe bëjnë kronika, intervistojnë njerëz, pyesni opozitën, të pavarur etj. Kurse këtu shkon kryeministri të rregullojë imazhin. E treta, që është e bezdisshme që ne shqiptarët akoma bëjmë politika t’u mbushim mendjen të huajve se kush është i miri apo i keqi. Akoma sillemi si protektorat dhe nuk ndërtojmë politikanë që kanë mbështetjen e vendit të tyre”, u shpreh ndër të tjera analisti Fatos Lubonja.
KOHA JONË SONDAZH

