Rama: Në Selanik shumë kohë para BE-së, shqiptarët patën një rol të pamohueshëm
Kryetari i Partisë Socialiste njëherësh kryeministri Edi Rama në takimin e sotëm me komunitetin shqiptar në Selanik, deklaroi se, Evropa ideale pakufi është njohur në jetën e përditshme të njerëzve të zakonshëm në Selanik shumë kohë përpara sesa të shfaqej Evropa e traktateve dhe të merrte formën e vetë BE-ja e qeverisur nga Brukseli.
“Ku më mirë sesa këtu në Selanik mund të lexohet e shkuara me sytë e të ardhmes. Selaniku është qyteti i jetëve të shumë brezave dhe njerëzve me prejardhje të ndryshme, të mbledhur bashkë si në një mozaik të gjallë të historisë në të cilin u ndërthuren fate dhe kultura dhe identitete të ndryshme, ku shqiptarët kanë pasur vendin dhe rolin e tyre të pamohueshëm për shekuj me radhë”, tha Rama.
“Herë si ushtarë, herë si tregtarë, herë si punëtorë, herë si individ problematik e herë si njerëz mendjendritur në mozaikun e mahnitshëm të historisë së këtij qyteti, përkrah hebrenjve, turqve, armenëve, bullgarëve dhe sigurisht dhe grekëve, shqiptarët kanë vendosur gurët e një modeli, jo vetëm bashkëjetese, por edhe bashkëveprimi dhe shkrirjeje ndëretnike, ku të vetmit kufij për t’u kapërcyer ishin kufijtë e imagjinatës”, tha Rama.
“Në Selanik tundimet e mbylljes dhe ngijumit në kështjella bashkësish etnike homogjene nuk u rezistonin dot vrulleve të njerëzisë për shkëmbime të hapura tregtare, veje-vajtjeve të anijeve me avull në portin e madh, prurjeve të lidhjeve hekurudhore me të katër anët e Mesdheut, shkëmbimeve të pareshtura kulturore, diplomatike, politike”, theksoi Rama.
Në këtë qytet, u shpreh Rama, “Evropa ideale pakufi është njohur në jetën e përditshme të njerëzve të zakonshëm shumë e shumë kohë përpara sesa të shfaqej Evropa e traktateve dhe të merrte formën e vetë BE-ja e qeverisur nga Brukseli”.
“Shpirti i lirisë dhe tolerancës dhe i bashkëjetesës në një rend ligjor të pashkruar bashkësie shumetnike është mishëruar këtu natyrshëm në Selanik shumë përpara se të kthehej në kriter përkatësie shumëkombëshe nën flamurin me shumë yjë të BE-së”.