PD: Prokuroria duhet të veprojë menjëherë! Rama ka përgjegjësi për vdekjet në Thumanë

Partia Demokratike ka kërkuar nga prokuroria që të hetojë përgjegjësitë shtetërore për vdekjen e 24 qytetarëve në Thumanë. Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazmend Bardhi, në një deklaratë për mediat u shpreh se kryeministri Edi Rama ka përgjegjësi direkte për vdekjet në Thumanë.

Duke ju referuar vizitës së Edi Ramës sot në këtë qytezë, Bardhi tha se kreu i qeverisë po hesht prej tre javësh lidhur me vdekjen e banorëve nga mos marrja e masave. “Spektakli i shëmtuar i Edi Ramës në Thumanë me shtëpitë që i ka detyrim ligjor për t’i ndërtuar është i papranueshëm dhe nuk e shpëton dot atë dhe bashkëpunëtorët e tij nga përgjegjësia morale, politike dhe penale. Ai është kthyer në vendin e krimit shtetëror pa dhënë llogari për humbjen e jetëve të 24 njerëzve të pafajshëm.  Në javën e tretë pas tërmetit, Edi Rama hesht për përgjegjësitë direkte të Komitetit të Emergjencave, të drejtuar prej tij dhe të Bashkisë së Krujës, përse banorët e pallateve të shembura në Thumanë u lejuan të jetojnë aty pas tërmetit të 21 Shtatorit”,- deklaroi Bardhi.

Përfaqësuesi i PD ka kërkuar publikimin e aktit të konstatimit për pallatet e Thumanës, pas tërmetit të 26 nëntorit. “Edi Rama është i detyruar t’u thotë shqiptarëve çfarë permbanin aktet e konstatimit për dy pallatet e shembura me 26 Nëntor, çfarë masash u morën dhe kush i lejoi banorët të futeshin në pallate të pasigurta pas 21 Shtatorit.  Prokuroria duhet të veprojë menjëherë! DREJTËSI për viktimat e 26 Nëntorit!”,- tha Gazmend Bardhi.

SHKARKO APP