Rama në Vlorë, Tedi Blushi publikon sms-në: Punonjësit e administratës kërcënohen të marrin pjesë në takim
Sot kryeministri Edi Rama është në Vlorë, dhe sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka publikuar mesazhe të nënkryetares Aulona Veizi së Bashkisë, që sipas tij iu ka dërguar punonjësve të saj, përmes së cilave iu ka kërkuar që të jenë të pranishëm në takim me kreun e qeverisë. Në mesazhin e shpërndarë, gjithashtu thuhet se personat që do të mungojnë, do të mbajnë përgjegjësi.
Postimi i plotë
Kërcënimi i punonjësve të administratës publike për të marrë pjesë me detyrim në takimet e Edi Ramës, duke i paralajmëruar me “mbajtje përgjegjësie” (nënkupto shkarkim nga detyra), është një vepër shumë e dënueshme penale.
Prokuroria duhet të reagojë menjëherë ndaj Nënkryetares së Bashkisë së Vlorës, Aulona Veizi dhe ta procedojë penalisht për këtë krim të shëmtuar për llogari dhe me urdhër të Edi Ramës.
Duke u solidarizuar me punonjësit e administratës publike u bëjmë thirrje të mos frikësohen, të zbatojnë me përpikmëri vetëm ligjin dhe statusin e tyre, si dhe të refuzojnë pjesëmarrjen me pahir në mitingjet mashtruese të Edi Ramës.
Partia e Lirisë dhe të gjithë shqiptarët e ndershëm dhe patriotë do të jenë gjithmonë në mbrojtje të lirive, të drejtave të tyre dhe të zbatimit të ligjit. Modeli shtypës i qeverisë së Edi Ramës është në largim! Ora e llogaridhënies po afron!