Rama nga Selaniku: PS i dha drejtësisë lirinë për të vepruar pa parë majtas dhe djathtas
Kryetari i Partisë Socialiste njëherësh Kryeministri Edi Rama në takimin e sotëm me komunitetin shqiptar në Selanik, deklaroi se PS-ja ia hoqi duart e pushtetit politik drejtësisë nga qafa dhe i dha të gjithë lirinë e nevojshme për të vepruar pa parë majtas dhe djathtas, por duke parë vetëm drejt.
“Ju e keni parë që sa herë më marrin në pyetje ata që duhet të ishin zëdhënës të opinionit publik, por për fat të keq janë zëdhënës axhendash të ndryshme, më nxjerrin përpara lista emrash, apo siç ndodhi me të vetmen opozitë që na ka mbetur me të cilën mund të bëjmë debat me Blendi Fevziun, më nxjerr një ekspozitë me fotografi për të më thënë që unë duhet të ndjehem përgjegjës moralisht, pse drejtësia ka hetuar, po heton, ka akuzuar, po akuzon, apo ka dënuar, individë të lidhur me pushtetin politik të PS-së”, tha Rama.
“Në fakt krejt e kundërta ndodh me mua. Natyrisht që nuk mund të më vijë mirë për arsye njerëzore dhe personale, por për arsye të kontratës që unë kam me të gjithë ata shqiptarë që më kanë dhënë besimin 3 herë rresht unë jam shumë krenar që me një vizion shtetbërës, me një kurajë patriotike dhe me një vullnet të hekurt politik, PS-ja plotësisht vetëdijshëm, të gjithë së bashku, për dhimbjet që do të sillte një reformë e tillë, ia hoqi duart e pushtetit politik drejtësisë nga qafa dhe i dha të gjithë lirinë e nevojshme për të vepruar pa parë majtas dhe djathtas, por duke parë vetëm drejt”, u shpreh Rama.
“Përgjegjësia ime morale do të ishte e jashtëzakonshme, nëse pasi iu kam kërkuar votën qysh në 2013-ën për të bërë një reformë në drejtësi, për të luftuar korrupsionin, sot do të isha këtu dhe ju nuk do të shikonit asnjë fakt konkret të luftës ndaj korrupsionit. Ndërkohë që sot faktet e një lufte reale ndaj korrupsionit i keni para syve dhe nuk ju mjaftojnë disa minuta për t’i numëruar emër për emër”.
Për këtë arsye, nënvizoi Rama, “unë ndjehem shumë, shumë mirë kur përballem me ju dhe ju them kjo është një tjetër arsye madhore pse vota e pranverës së ardhshme duhet t’i garantojë Shqipërisë udhëheqjen e PS-së në mënyrë që kjo që ka filluar me drejtësinë të garantohet dhe të mos kthehet përsëri mbrapa”.
“Sot askush më nuk është i paprekshëm dhe cilido nga radhët tona që kërkohet nga drejtësia përballet me drejtësinë dhe nuk mbrohet duke i hedhur mbi kokë flamurin e PS-së. Ky është investimi më i madh i PS-së së shekullit të ri dhe kjo e drejtësisë është shprehja më shembullore e besnikërisë tonë ndaj të gjithë atyre që na e kanë dhënë votën 3 herë rresht sepse, çfarë kemi thënë e kemi bërë dhe çfarëdo të bëjmë po e themi”, u shpreh Rama.
“Thonë që ne po presim kokat e krerëve të opozitës. Nëse do të ishte e vërtetë, gijotina e PS-së nuk do kishte prerë aq shumë koka nga radhët e veta. Ka dhe një ekstrem tjetër, që thonë reformën e bëri Amerikë, se Amerika aty ishte edhe para se ne t’i hynim këtij deti në këmbë dhe fuqinë e saj ndikuese e kishte po njësoj. Amerika është dhe në Mal të Zi, RMV, Kosovë, por vetëm në Shqipëri është bërë e mundur ajo që po ndodh. Nëse Amerika e kishte këtë peshqesh kaq kollaj, pse nuk na e solli më parë. Sepse as Amerika, as BE, as mund ta bënin, nëse nuk gjendet forca e brendshme që merr përsipër ta bëjë këtë proces”, u shpreh Rama.
“Dua t’ju kujtoj se nuk ka asnjë diskutim që pa mbështetjen e SHBA dhe BE, nuk do ia dilnim dot kësaj reformë, sepse nuk do ta nënshtronim dot rezistencën e paepur të atyre që sot ulërijnë nga penxheret e kateve të larta. Të mendosh se kjo mund të ndodhte pa PS, është të thuash merre me lëng se mishi mbaroi. Ata që ju dalin para dhe ju thonë sa e thjeshtë është, janë maskat e Sudes”, përfundoi Rama.
/j.p/ ATSH