Rama ngre si shqetësim gjyqin e Thaçit në Hagë në Bordin e Paqes, deputetja Mila: U krijua një aks i fortë Shqipëri-Kosovë
Deputetja e PS-së, Sara Mila ka komentuar bashkëbisedimin mes presidentit amerikan Donald Trump, kryeministrit Edi Rama dhe presidentes së Kosovës Vjosa Osmani, pas mbledhjes inauguruese të Bordit të Paqes. Sipas saj, kreu i qeverisë shqiptare ka shfrytëzuar momentin për të ngritur çështje që lidhen me Kosovën, përfshirë procesin gjyqësor në Hagë ndaj ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe ish-drejtuesve të UÇK-së.
“Përfshirja e Kosovës, që kur e dëgjova e mora me mend që shumë do ta quajnë populizëm, për mua nuk ka pamje më të bukur sot në arenën ndërkombëtare sesa ai moment kur kryeministri i Shqipërisë dhe presidentja e Kosovës ishin të dy shumë të angazhuar me presidentin Trump për të shfrytëzuar maksimalisht ato sekonda që ke në dispozicion. Fakti që ajo bisedë ndodhi ka peshë. Jam e sigurt që kryeministri Rama i ka shfrytëzuar shumë mirë ato sekonda e veta, përfshirë edhe çështje që lidhen me Kosovën, si ajo e komandantëve. A do të ketë vullnet politik që presidenti Trump ta përkthejë atë angazhim publik në hapa konkretë? Këtë nuk mund ta them sot”, u shpreh deputetja e PS-së në ”Euronews Albania”.
Ajo e cilësoi si një moment me vlerë të veçantë angazhimin e përbashkët të Ramës dhe Osmanit, duke theksuar se përfshirja e Kosovës në këtë komunikim është një sinjal i rëndësishëm politik. ”Sot kemi një aks shumë të mirë nga kryeministri i Shqipërisë. Ai e shfrytëzoi momentin. Madje, edhe në referencat që bëri, duke përdorur terma që ruanin dualitetin fetar dha një mesazh për tolerancën fetare nga Shqipëria e vogël, që është aleate me të gjithë. Dhe fakti që vëmendja ishte te Shqipëria, te Kosova dhe te ky unitet, është një moment që për mua ka shumë vlerë. Dhe në atë panoramë, ai moment angazhimi vlen shumë, ndoshta më shumë se çdo koment që bëhet më pas”, tha Mila.
Ajo e cilësoi Bordin e Paqes si një mekanizëm të ri me ambicie pragmatike, që synon rezultate të prekshme dhe jo thjesht deklarata formale, duke e krahasuar me organizma të mëdhaja ndërkombëtare që shpesh nuk arrijnë reagime të menjëhershme në situata emergjente si Gaza.
KOHA JONË SONDAZH

