Rama nuk është Xhorxh Uashington…

 

Nga Eduard Zaloshnja.

Pasi Xhorxh Uashingtoni qeverisi për dy mandate si president i SHBA-së, asnjë rival nuk iu shfaq për të garuar në zgjedhje – rizgjedhja e tij ishte e padiskutueshme, falë popullaritetit të jashtëzakonshëm që gëzonte. Dhe ç’bëri Uashingtoni? U tërhoq fare nga politika… “Unë nuk luftova kundër një mbreti që të bëhem mbret vetë,” u tha ai bashkëpunëtorëve të tij që e nxisnin për të rikandiduar për herë të tretë.

Precedenti që krijoi Uashingtoni bëri që, për 150 vjet, asnjë president amerikan të mos rikandidonte për një mandat të tretë, pavarësisht se kushtetuta e lejonte një gjë të tillë – kjo traditë u prish nga Ruzvelti gjatë Luftës së Dytë Botërore (Pas luftës, kandidimi për një mandat të tretë për president u ndalua me kushtetutë).

Kur ia tregova këtë episod historik Edi Ramës (pasi ishte zgjedhur kryeministër), prisja që të thoshte se nuk kishte luftuar kundër Berishës, për t'u bërë Berishë vetë. Por ai dha një përgjigje evazive të tipit “Nuk kam ardhur në pushtet thjesht për të ndejtur pafundësisht në pushtet, por për të udhëhequr disa reforma të domosdoshme për shtetin”.

Në fakt, zhvillimet në Asamblenë e fundit të PS-së, tregojnë se Rama nuk ka ndërmend të tërhiqet për një kohë të gjatë nga politika.  Teza e hedhur prej tij se kryetari i partisë, kur është zgjedhur kryeministër me votën e përgjithshme të popullsisë, nuk ka nevojë të garojë brenda partisë për t'u rimandatuar kryetar, është mëse racionale. Por është gjysmake. Sepse lë pa adresuar pyetjen se ç’duhet të bëjë kryetari në qoftë se humbet zgjedhjet e radhës për kryeministër. Nënkuptohet që atëherë ai do të garojë brenda partisë për t’u rimandatuar si kryetar.

Në momentet aktuale, kur kanë kaluar vetëm dy vjet nga vajtja e Ramës në kryeministri dhe vetëm një muaj pas fitores së zgjedhjeve lokale nga koalicioni i udhëhequr prej tij, debati rreth mandatimit të kryetarit të PS-së duket thjesht si një ushtrim teorik. Por situata mund të ndryshojë shumë shpejt.

 Kontradiktat e nëndheshme mes Ramës dhe Metës rreth dështimit të kandidatëve të LSI-së në bashki të rëndësishme si Lezha, Pogradeci, Mallakastra etj., (falë “tradhëtisë” së degëve lokale të PS-së në këto rrethe), si dhe rreth ndryshimeve në qeveri që është lënë të kuptohet se dëshirohen nga Meta, mund të mahisen deri në atë pikë sa, në zgjedhjet e 2017-ës, LSI-ja të futet në garë si koalicion më vete (duke mbledhur rreth vetes parti si PDIU, PDK, FRD, etj.).

Dhe në dy zgjedhjet e fundit parlamentare (2009, 2013), rezultatet kanë treguar se koalicioni i PS-së (pa LSI-në) ka arritur të marrë vetëm 66 mandate kuvendore. Dhe në qoftë se përsëritet situata e 2009-ës, pyetja që shtrohet për Edi Ramën është nese ai do të tërhiqet nga politika apo do të garojë brenda partisë për t’u rizgjedhur kryetar. Sipas asaj që tha në Asamblenë e PS-së këto ditë, i bie që të garojë përsëri brenda partisë…

Por në vitin 2005, kur garoi për herë të parë për kreun e PS-së, Rama i mëshoi tezës “Kur kryetari humbet zgjedhjet parlamentare, i hap rrugën një tjetri”…

Skenari i mësipërm është ekstrem – më i mundshëm është skenari ku Rama e Meta, pavarësisht kontradiktave të nëndheshme, i përmbahen paktit të 1 prillit 2013 edhe për 6 vjet të tjera. Gjë që do të thotë se koalicioni i tyre ka gjasa të mëdha të fitojë zgjedhjet e 2017-ës dhe të jetë pretendent serioz për fitimin e zgjedhjeve të 2021-shit. A ka ndonjë shans që Rama të thotë në prag të atyre zgjedhjeve (pas 2 mandatesh si kryeministër) se do të tërhiqet nga politika, ngaqë nuk luftoi kundër Berishës për t’u bërë Berishë vetë?  Gjasat janë fare të vogla…

SHKARKO APP