”Rama nuk merr vesh nga ekonomia”/Shano: Është ulur popullsia jo papunësia

Eksperti i ekonomisë, Dritan Shano, foli për deklaratat e kryeministrit Edi Rama në lidhje me uljen e papunësisë, amnistisë fiskale dhe rritjen e pagës minimale në vend. Shano thotë se “kryeministri nuk merr vesh nga ekonomia”.

”Që të ulet papunësia në një vend, duhet të kesh rritje ekonomike. Që të kesh rritje ekonomike, duhet të kesh rritje eksportesh, por ato janë ulur. Duhet të kesh rritje kreditimi për ekonominë, të kesh rritje konkurrueshmërie e me radhë. Shqipëria nuk ka bërë hapa para, por hapa pas në këto aspekte. Ulja e papunësisë ka ardhur për shkak të uljes së popullsisë. Nga forca aktive e punës kanë ikur 500 000 persona në këto 5 vite. Nuk është ulur papunësia, por popullsia”, tha Shano në ”A2”.

Për amnistinë fiskale, Shano theksoi ”Amnistia tenton të legalizojë ekonominë. Të bësh amnisti, është diçka që nuk parapëlqehet sepse jep mesazh të gabuar në ekonomi, kur disa punojnë ndershëm dhe disa jo. Vjen një ditë kur ata që nuk kanë punuar ndershëm vendosen në kushte të barabarta me të ndershmit, por me më shumë para nëpër xhepa. Kjo është arsyeja pse institucionet ndërkombëtare hezitojnë të mbështesin të tilla nisma. Të bësh amnisti kur të janë premtuar 1,15 miliardë euro tregon që ka diçka që nuk shkon në këtë mes”.

SHKARKO APP