Rama: Pakthyeshmërinë e Reformës në Drejtësi dhe SPAK-un e garanton PS-ja. 21 Janarin një ditë do ta paguajnë

Kryeministri, njëherësh edhe kreu i PS-së, Edi Rama zhvilloi një takim me asambletë socialistë të njësive 5, 6, 13, 14 të kryeqytetit. Rama pranon se ka gjëra që nuk shkojnë, por shtoi se lufta kundër korrupsionit është luftë e PS-së dhe ndryshe nga opozita që kërkon ta shkrijë SPAK është këtu falë socialistëve.

”Patjetër që ka gjëra që nuk shkojnë, por duke filluar nga kjo e korrupsionit. Por është më e tmerrshmja që ne të mund ta pranojmë pa luftë që të na kërkojnë ne hesap të tjerët. Ne mund t’i kërkojmë hesap njëri-tjetërit. Ju mund të më kërkoni hesap mua e unë juve, por askush jashtë kësaj partie nuk na kërkon ne hesap për luftën kundër korrupsionit, sepse çfarë po ndodh sot është lufta jonë.

Nuk është luftë që na e hapi Amerika, se Amerika i tërhoqi ushtarët, ikën. Po kush e mban SPAK-un tani? E keni dëgjuar bufin e kënetës që thotë do ta shkrij. Nëse do të ishim ne ata që përpiqen të na pikturojnë, do ishte shkrirë SPAK. Nuk kishte nevojë. Një fishkëllimë bufi e vinte me ato flokët që i ka sapo zbrit nga motori. Vinte me zhapa, e brektosa për të shkrirë SPAK. Por nuk ndodh se e kemi sjellë ne, jo se s’na lë Amerika”,-tha Rama.

Nga ana tjetër, Rama u ndal dhe tek dosja e 21 Janarit. ””21 Janari’ nuk ndëshkohen shpejt por nuk harrohen kurrë dhe 1 ditë paguhen”. Po ashtu Rama pranon se hipoteka ka ende probleme, por se modernizimin e saj mund ta kryejë vetëm PS.

”Kemi akoma një problem jo të vogël me Hipotekën. Ky problemi që kemi me Hipotekën është një arsye për ta votuar apo për të mos e votuar PS-në? Nëse nuk e voton PS-në nuk ka shans që në këto 2 vite e pak të mbetura për të plotësuar objektivin e transformimit komplet të Kadastrës në një shërbim nga A te Zh dixhital sepse e kemi angazhim me BE. Kush do ta bëjë, këneta? Nuk ka shans. Nuk mund ta humbë Shqipëria këtë moment. Është momenti kyç në historinë tonë. Ne duhet të jemi gati. Kemi bërë hapjen më të shpejtë të grup-kapitujve sepse po ja bëjmë hysmetin kësaj pune”.

SHKARKO APP