Rama paralajmëron dështimin: Sezoni i ardhshëm do të jetë pa zaptues plazhesh dhe plehra
Kur na ndajnë pak javë nga mbyllja e sezonit turistik, qeveria shqiptare nuk duket shumë entuziaste për “suksesin” e 10 milionë turistëve që paralajmëroi dy muaj më parë.
Kryeministri Edi Rama në një postim në rrjetin social “facebook” ka thumbuar ish-kryebashkiakun e Kavajës, për të cilin shkruan se ka harruar të mbledhë plehrat në zonën turistike të Golemit.
Rama thekson se me ndihmën e pushuesve vazhdon evakuimi i plehrave nga kryebashkiaku i ri socialist, Redjan Krali.
Rama shpreh besimin se sezoni i ardhshëm do të jetë pa zaptues plazhesh, pa shurdhues veshësh, pa kodra e fusha plehrash
Postimi i Ramës:
Duke u marrë me mbrojtjen e kështjellës së revolucionit imagjinar që s’do ta dorëzonte i gjallë, kryebashkiaku kreshnik i Kavajës ka harruar me muaj të tërë, të mbledhë plehrat në zonën turistike të Golemit
Vazhdon edhe me ndihmën e pushuesve, evakuimi i kodrave me plehra nga kryebashkiaku i ri, që ende s’ka bërë javën në detyrë
Ndjesë pushuesve të Golemit për këtë mysybet
Me ligjin e ri për Vijën Bregdetare dhe marrjen në dorë nga shteti të përgjegjësisë për administrimin e saj, kam besim se sezoni i ardhshëm do të jetë pa zaptues plazhesh, pa shurdhues veshësh, pa kodra e fusha plehrash