Rama paralajmëron të përjashtuarit nga vettingu: Do jepni llogari para drejtësisë për pasuritë e pajustifikuara
Kryeministri, Edi Rama, paralajmëroi të gjithë gjyqtarët dhe prokurorët e përjashtuar nga vettingu se do të kthehen në bankën e të akuzuarve për të dhënë llogari për të gjithë pasurinë e tyre të pajustifikueshme.
Duke folur në takimin e përjavshëm në Kryeministri me qytetarët që i drejtohen platformës “Shqipëria që duam”, Rama tha se vetë qeveria nuk ndërhyn dot në çështjet që ata kanë me drejtësinë.
Por, shtoi ai, do të jetë vettingu ai që do të pastrojë sistemin dhe sistemi i pastruar do të ndëshkojë ata që pastrohen vettingu.
Edi Rama: Ndodh shpesh që qytetarët janë të dëshpëruar nga sistemi i drejtësisë dhe na drejtohen por aty ne nuk kemi mundësi të ndërhyjmë. E patë vetë javën e kaluar një rast flagrant i shkeljes së ligjit dhe transformimit të një figure të sistemit të drejtësisë në përfaqësues i interesave të krimit që sigurisht nuk do ti shpëtojë ndëshkimit. Por ama kur vjen puna te ndërhyrja në proces kjo është e pamundur për qeverinë, pushtetin ekzekutiv sepse Kushtetuta përcakton qartë kufijtë e çdo pushteti dhe kufizimet që ne kemi pavarësisht se mund të jetë e drejtë ajo që qytetari kërkon i dëshpëruar pas një padrejtësie në dyert e gjykatave.
Fatkeqësisht po shohim se pastrimi i llumit nga sistemi i drejtësisë ka dhe një efekt negativ të përkohshëm, por shumë të rëndë te qytetarët, sepse shumë prokurorë dhe gjykatës që janë të zhytur deri në fyt dhe që e dinë fare mirë se nuk kanë asnjë shans të kalojnë vettingun po e shfrytëzojnë pushtetin që u jep ligji me moton “të kapim çfarë të kapim”. Dua të theksoj sot atë që kam thënë që ditën e parë, ndërtimi i drejtësisë kërkon kohë. Vettingu do të pastrojë dhe sistemi i pastruar do të ndëshkojë ata që pastrohen vettingu. Më vjen mirë që ky është kthyer dhe në një kusht detyrues nga BE.
Të jenë të sigurt se ata që vettingu i përjashton do të rikthehen përpara prokurorëve dhe gjykatësve për të dhënë llogari për pasuritë e tyre të pajustifikuara. Të jenë të sigurt të gjithë ata që bëjnë krime edhe sot që flasim ndaj qytetarëve për të përfituar para të zezë deri dhe për të marrë “rroga”, shpërblime të majme, nga organizata kriminale se drejtësia mbi ta mund të vonojë dhe pak, por nuk do të harrojë. Të jenë të sigurt.
Sipas Kryeministrit, 30427 ankesa të adresuara në plaformë kanë marrë përgjigje pozitive.