Rama: Përmbytjet, pasojë e masakrës mbi natyrën. Moratorium për pyjet

Vendosja e moratoriumin 10-vjeçar për të mos shfrytëzuar pyjet, u cilësua nga Kryeministri Edi Rama, si një hap tjetër për mbrojtjen e natyrës dhe shmangien e shkatërrimit të mëtejshëm të saj.

“Shkatërrimi i pyjeve, i shtretërve të lumenjve, shfrytëzimi barbar për lëndë drusore dhe ndërtimi dhe shkatërrimi i infrastrukturës mbrojtëse na ka sjellë vit pas viti në buzë të një humnere që ne prej dy vjetësh kemi marrë masa për ta shmangur. Por sot pas dy vjetësh jemi në kushtet kur duhet të shkojmë një hap më tutje, me atë të moratoriumit 10-vjeçar të ndalimit absolut të shfrytëzimit të pyjeve për qëllime fitimi, industriale dhe tregtare”, u shpreh Rama.

 Përmbytjet e viteve të fundit në vendin tonë, kryeministri i quajti pasojë e parë e drejtpërdrejtë e shkatërrimit të natyrës dhe ndërtimeve pa kriter.

 “Ndërtime kuturu duke shfrytëzuar si materiale ndërtimi të ardhmen dhe duke marrë borxh atë që nuk mund të merret kurrë, atë që u takon gjeneratave të tjera”, tha kryeministri.

 Rama tha se moratoriumi është një kërkesë që nuk mund të refuzohet më dhe së bashku me ndryshimet ligjore që ashpërsojnë krimin mjedisor, do t’i rikthejnë natyrës atë që i takon. Kreu i qeverisë shprehu bindjen se me këtë moratorium do të ecet në gjurmët e moratoriumit të gjuetisë.

 “Ashtu si edhe moratoriumi i gjuetisë, që është një histori suksesi që flet vetë. Mjafton të shohësh sesi ishte dhe si është sot Parku Kombëtar i Divjakës për të kuptuar rëndësinë e madhe të masës së proozuar nga qeveria dhe të miratuar nga Kuvendi”, deklaroi ai.

 Moratoriumi kundër prerjes së pyjeve do të paraqitet në seancë plenare në Kuvend dhe kryeministri Rama shprehu bindjen se do të miratohet me çeljen e sesionit të ri.

 Projektligji lejon prerjen e pyjeve për përdorim familjar vetëm nga banorë të zonës, ndërsa kontrolli i zbatueshmërisë së tij i ngarkohet Ministrisë së Mjedisit dhe bashkive.

SHKARKO APP