Rama: Pfizer na konfirmoi dje, në shkurt vijnë 40 mijë vaksina të tjera
Pasi mori dozën e dytë të vaksinës anticovid, gjatë një prononcimi për mediat, Kryeministri Edi Rama u ndal tek ardhja e dozave mbrëmjen e kaluar, duke folur për një situatë tejet kaotike me furnizimin në gjithë Europën.
“Imunizimi ka nevojë për të gjithë ciklin dhe ajo që është më e rëndësishme është që kemi hyrë në zbatimin e kontratës me Pfizer. Dje kanë ardhur dozat që kanë hapur rrugën. Natyrisht që nëse i shohim numrat ngushtë, nëse nuk e shohim të gjithë panoramën dhe të gjithë planin, atëherë që patjetër duken shumë pak, por në fakt e para mos harrojmë që në rajon jemi i vetmi vend së bashku me Serbinë që ka hyrë në zbatimi ne kontratës dhe ka filluar vaksinimin për mjekët dhe infermierët. Së dyti, mos harrojmë që situata e furnizimit me vaksina në gjithë Europën është tejet kaotike. Vendet e mëdha kanë filluar kërcënimet për ndjekjen në rrugën gjyqësore për kompanitë. Oferta është shumë e ulët për shkak të numrit të prodhimit”, tha Rama duke shtuar se në shkurt do të vijnë 40 mijë dozat e tjera.
“Së treti po dje në darkë vonë kemi marrë konfirmimin nga Pfizer që në mesin e shkurtit mbërrijnë 10.000 mijë dozat e parashikuara dhe brenda shkurtit do vijnë 30.000 dozat e tjera”, theksoi Rama.