Rama pranon dorëheqjen e Naços, Manjani ministër i ri i Drejtësisë

 

Zyra e shtypit e Kryeministrisë njoftoi sot se Kryeministri Edi Rama pranoi  dorëheqjen e Ministrit të Drejtësisë, zotit Nasip Naço, duke e falenderuar atë për kontirbutin e dhënë në ekipin qeverisës. 

Më pas Kryeministri Rama ka zhvilluar një takim konsultativ me bashkëkryetarin e “Aleancës për Shqipërinë Europiane”, Ilir Meta, ku kanë vlerësuar punën e ministrit Naço dhe kanë diskutuar për zëvendësimin e tij.  "Duke vlerësuar se kandidatura e Ylli Manjanit është më e përshtatshmja për të çuar më tej punën e nisur në drejtimin e institucionit, Kryeministri ka diskutuar më pas me zotin Manjani përfshirjen e tij në kabinetin qeveritar. Reforma në Drejtësi, përmirësimi i punës në zyrat e hipotekave, rritja e cilësisë së shërbimit në burgje, si edhe ritmi i asistencës teknike të Ministrisë së Drejtësisë në procesin e hartimit të akteve ligjore e nënligjore në funksion të reformave, kanë qenë në fokus të bashkëbisedimit. 

Kryeministri e ka falenderuar Ylli Manjanin për gatishmërinë për të kryer me përgjegjshmëri dhe efikasitet detyrën e lartë dhe ka firmosur propozimin për Presidentin e Republikës që të dekretojë emërimin e tij në krye të dikasterit të drejtësisë",- thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

SHKARKO APP