Rama premtoi ndërtimin e tre stadiumeve, Braçe: Prishni ngrehinat që pengojnë projektin e plotë të Partizanit

Këtë herë jo ndaj Bujqësisë, por Erion Braçe ka reaguar mbi premtimin e Edi Ramës se do të ndërtohen tre stadiume të reja, në Durrës, Vlorë e në Korçë.

Ish-zv/kryeministri thotë se e përshëndet këtë vendim të Ramës, por ka një kërkesë për këtë kreun e qeverisë. Si një tifoz i Partizanit, Braçe i ka kërkuar qeverisë që të tregohet e drejtë dhe t’i hapë rrugë ndërtimit të projektit të plotë të kompleksit Partizani.

“U lumturova kur dëgjova javës që shkoi se Qeveria ime do ndërtojë stadium në Durrës, stadium në Vlorë, stadium në Korçë, madje edhe një stadium tjetër mu në mes të Tiranës. Ne të Partizanit, nuk duam stadium. Dua që qeveria ime të jetë e drejtë, e barabartë tani nuk bëhet dot. Thjesht, për Partizanin të prishë këto ngrehinat që pengojnë projektin e plotë të Partizanit! Paratë le t’i marrin ata që i kanë marrë përherë. Për Partizanin veç prishni këto mbeturinat! Me kaq bëheni të drejtë”, shkruan Braçe.

Kjo kërkesë e Braçes vjen pasi dy fusha stërvitore në kompleksin Partizani nuk janë ndërtuar për shkak të një ngërçi mes institucioneve, ndërkohë që stadiumi, tribuna dhe hoteli tashmë kanë marrë formë.

SHKARKO APP