Rama publikon bilancin: Në Kurbin vijon puna për lagjen e re me 524 apartamente
Kryeministri Edi Rama, ka publikuar një bilanc të ndihmës dhe punës që po bëhet në Kurbin, zonë e prekur nga tërmeti ku edhe po rindërtohet nga shteti turk e jo vetëm. Përmes një postimi në facebook, Rama nënvizon se në këtë zonë janë angazhuar 8 kompani shqiptare, krahas kompanisë turke që po vijon punimet në kantierin 1 të lagjes së re, me 524 apartamente, nga të cilat 160 të parat do të përfundojnë brenda muajit mars 2021 dhe pjesa tjetër në qershor 2021, plus 375 vende parkimi, 1 qendër tregtare dhe 37 njësi shërbimi.
Postimi i plotë
Shumëkush kujton, krejt gabimisht, se politika është një e keqe e madhe në vetvete dhe se politikanët janë të gjithë njësoj! Por pa politikën nuk do të kishim pasur qytetërimin demokratik, as Shtetet e Bashkuara, as Bashkimi Europian, as Karta e Lirive e të Drejtave të Njeriut, as shteti social, as artet e kultura dhe as miliona e miliarda të mira të tjera për njerëzit e kësaj bote, nuk do të ekzistonin po të mos ekzistonte politika!
Dhe nëse politikanët do të ishin të gjithë njësoj edhe gjërat do të mbeteshin gjithnjë njësoj! Po pikërisht pse politika siç bie në duar të këqija e bën keq, bie edhe në duar të mira e bën mirë dhe falë faktit se politikanët nuk janë të gjithë njësoj, edhe shumë gjëra ndryshojnë për mirë në jetën e vendeve!
Krenar që po ndryshojmë për mirë jetën e mijëra fëmijëve e familjeve, që u goditën nga tragjedia e 26 nëntorit të shkuar, falë pasionit politik për ndryshimin, i cili është edhe arsyeja pse unë merrem me politikë.
Në Kurbin:
• Angazhuar 8 kompani shqiptare, krahas kompanisë turke që po vijon punimet në kantierin 1 të lagjes së re, me 524 apartamente, nga të cilat 160 të parat do të përfundojnë brenda muajit mars 2021 dhe pjesa tjetër në qershor 2021, plus 375 vende parkimi, 1 qendër tregtare dhe 37 njësi shërbimi.
• Ka nisur puna me infrastrukturën, për ndërtimin e mbi 200 apartamente të tjera me fondet e qeverisë shqiptare, në kantierin 2 të lagjes së re, ku do të zgjidhet përfundimisht edhe sistemimi i përroit të qytetit, shkaktar përmbytjesh prej dekadash.
• Nisin së shpejti 211 banesa individuale.
• 180 pallate fillojnë nga puna meremetuese për 1500 familje.
• Përfundon 1 shkollë brenda vitit 2020 me fondet e qeverisë shqiptare. Nisin së shpejti edhe 9 objekte arsimore nga të cilat 2 të financuara nga buxheti i shtetit dhe pjesa tjetër me fondet e donatorëve.
• Nis puna së shpejti edhe për rindërtimin e spitalit të qytetit dhe godinës së bashkisë .
• 1820 familje janë shërbyer me grante rikonstruksioni nga 100 mijë deri ne 500 mijë lekë, me një total prej 500,900,000 lekë.
• 1615 familje shërbehen me bonus qeraje prej muajit Dhjetor 2019 deri në kthimin në shtëpi.