Rama: Qendra e Tiranës do të kthehet në identitet

Kryeministri Edi Rama tha sot se projekti i ri për qendrën e Tiranës do të na kthejë dy gjëra: identitetin dhe Skënderbeun.

Kështu, teksa Bashkia e Tiranës prezantoi lanin e ri për kthimin e qendrës së kryeqytetit në një zonë vetëm për këmbësorët, një projekt ky i nisur që kur Tirana drejtohej nga Edi Rama, ky i fundit cilësoi se projekti i ri ka fituar shumë në cilësi, jo thjesht me një ekuilibër perfekt 50% hapësirë pak e gjelbër dhe 50% hapësirë e gjelbëruar, por dhe sepse brenda sheshit krijohen kushtet për të ndodhur shumë gjëra.

“Sheshi i Tiranës, – tha kryeministri, – mendohet të jetë ‘xhevahiri’ i më i ndritur i Rilindjes Urbane, që po sjell jo thjesht transformim fizik, por dhe kulturor, e po u jep qyteteve mundësinë që të lidhen fizikisht me identitetin europian të vendit”.

Kryeministri theksoi se shpesh ka ndodhur që projekti kombëtar i Rilindjes Urbane të kritikohet me dritëshkurtësi dhe me argumentin se njerëzit kanë nevojë për gjëra të tjera dhe se ata nuk ‘hanë’ sheshe e as përfitojnë ekonomisht prej tyre, por në fakt, historia njerëzore njeh vetëm një rast kur qeveria dhe vendimmarrja për të financuar zhvillimin e komuniteteve nuk u fiksua tek qendra, por tek asfalti elektoral, dhe ky është rasti i Shqipërisë së tranzicionit, mendësia e të cilës kulmoi me qeverisjen e mëparshme.

“Tirana, -vijoi Rama, – ndryshe nga qytetet e tjera, nuk do duhet të ndërtojë një shesh nga e para, por do të duhet të demokratizojë një hapësirë të konceptuar kohë më parë nga dy arkitektë të famshëm, që i solli këtu Ahmet Zogu. Dhe faktikisht ne e nisëm këtë projekt me këtë ambicje, që të demokratizojmë vizionin që është aty dhe të transformojmë hapësirën e trashëguar në një hapësirë, ku e sotmja dhe e ardhmja bashkëjetojnë me njëra-tjetrën dhe ku çdo kush që bëhet pjesë e asaj hapësire të ketë sensin se nga vjen, ku është dhe ku shkon. Padyshim që kryefjala e patjetërsueshme për një hapësirë të tillë është që ky shesh duhet të jetë i njerëzve që zgjedhin për të shkuar aty, ky shesh duhet të jetë një pikëtakimi me historinë dhe me njerëzit”.

SHKARKO APP